Bota “Biden kapitulloi para Putin”, Trump: Ne nuk fituam asgjë, Rusia po

“Biden kapitulloi para Putin”, Trump: Ne nuk fituam asgjë, Rusia po

Donald Trump akuzoi pasuesin e tij në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, se kapitulloi përballë Rusisë duke mos marrë asgjë nga takimi me Vladimir Putin.

Trump tha gjithashtu se Biden dorëzoi te presidenti rus edhe gazsjellësin “Nord Stream 2”, të cilin e konsideron si “tejet të çmuar”. Presidenti amerikan hoqi muajin e kaluar sanksionet ndaj kompanisë dhe CEO-s që do përfundojë projektin në fjalë, dhe do të dërgojë gazin rus në Gjermani.

“Mendoj se në përfundim, nuk morëm asgjë”, tha Trump në një intervistë për Sean Hannity në Fox News. “I dhamë Rusisë diçka shumë të madhe dhe nuk morëm asgjë në këmbim. Dhamë diçka që është tejet e çmuar. Unë e ndalova atë gazsjellës dhe tani iu dha mbrapsht (rusëve). Mendoj që ishte një ditë e mirë për Rusinë, nuk shoh çfarë fituam ne”.

Ndërsa Biden ka deklaruar më parë se heqja e sanksioneve ndaj kompanisë që po ndërton gazsjellësin u bë për të mos i prishur punë Gjermanisë, Trump tha se shteti europian preferon të blejë gaz nga Rusia, por ndërkohë mbrohet nga 52 mijë trupa amerikane prej saj.

“Unë i thashë Angela-s (Merkel, kancelare e Gjermanisë), po i jepni miliarda dollarë shtetit nga i cili ne po ju mbrojmë, nuk shkon. Mendojeni, ne paguajmë për mbrojtjen e tyre, dhe – më falni për fjalorin – ata na e fusin në tregti. Sa makina amerikane shiten në Berlin, apo Paris? Ndoshta asnjë. Ndërsa ne shesim prodhimet e tyre, verën dhe makinat e tyre Mercedes dhe BMW dhe gjithçka tjetër”, tha Trump.

I pyetur nëse Biden vendosi drejt që nuk doli bashkë me Putin në konferencë për mediat, Trump tha: “Unë u mora vesh shumë mirë me të (Putin). Askush nuk është sjellë më ashpër se unë me Rusinë. Mendoj se zgjedhjet ishin të padrejta, por dua që ai të arrijë gjëra të mira për vendin tonë. Nuk dua të shoh skena si ato të së mërkurës, mendoj se ishin të tmerrshme”.