Bota Biden: Pandemia tashmë problem i atyre që nuk duan të vaksinohen

Biden: Pandemia tashmë problem i atyre që nuk duan të vaksinohen

Presidenti Joe Biden u shpreh i zhgënjyer mbi ngadalësimin e nivelit të vaksinimit kundër COVID-19 në Shtetet e Bashkuara dhe u shpreh se është “tejet e rëndësishme” për amerikanët që të vaksinohen kundër virusit ndërsa infeksionet po rriten përsëri.

Duke folur gjatë një takimi me pyetje-përgjigje nga publiku, në Cincinnati të shtetit të Ohajos, Presidenti Biden tha se kriza e shëndetit publik është kthyer kryesisht në një problem tek të pavaksinuarit.

“Ne kemi një pandemi mes atyre që nuk i kanë bërë vaksinat është kaq e thjeshtë”, tha ai gjatë takimit të transmetuar nga rrjeti televiziv CNN.

Presidenti gjithashtu shprehu optimizëm se në muajt e ardhshëm autoritetet do ta miratojnë vaksinën për përdorim edhe tek fëmijët nën moshën 12 vjeç. Por ai kritikoi ata amerikanë që gëzojnë të drejtën të vaksinohen që ende hezitojnë ta marrin atë.

“Nëse jeni të vaksinuar, nuk do të shtroheni në spital, nuk do të futeni në njësinë kujdesit intensiv dhe nuk do të vdisni”, tha Biden në forumin e Universitetin Mount St. Joseph. “Pra është tejet e rëndësishme që ne të gjithë të veprojmë si amerikanë që të kujdesemi për njëri-tjetrin”

Deklarata e presidentit vjen ndërsa në Shtetet e Bashkuara rastet me COVID-19 gati u trefishuan gjatë dy javëve të fundit mes një sulmi me informacione të rreme rreth vaksinave që po mbingarkon spitalet e po lodh mjekët.

“Stafi ynë është i zhgënjyer”, thotë Chad Neilsen, drejtor i parandalimit të infeksioneve në “UF Health Jacksonville”, një spital në Florida, që po anulon operacionet e të tjera procedura për shkak të rritjes së numrit të pacientëve të pavaksinuar e të infektuar me COVID-19, që janë shtruar aty. Sot në këtë spital janë 134 pacientë me COVID, nga një minimum prej 16 personash në mesin e muajit maj.

Në të gjithë SHBA-në, mesatarja javore e rasteve të reja ditore u rrit gjatë dy javëve të fundit në më shumë se 37,000 të martën, nga më pak se 13,700 në 6 korrik, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins. Zyrtarët e shëndetësisë ia hedhin fajin variantit delta si dhe ngadalësimit të normave të vaksinimit. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve vetëm 56.2% e amerikanëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.