Bota “Biden, president i zgjedhur”, Pelosi: Nuk triumfuam në çdo betejë, por fituam...

“Biden, president i zgjedhur”, Pelosi: Nuk triumfuam në çdo betejë, por fituam luftën

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u shpreh e bindur se kandidati Joe Biden, ka fituar zgjedhjet presidenciale amerikane. Gjithashtu pranoi se demokratët nuk morën një rezultat të mirë në garën për karriget në Kongres.

“Do të doja që të mos duhej të mbanim maska, që ta shikonit se sa e lumtur jam që vij para jush me Joe Biden që ka një mandat të jashtëzakonshëm. Nisur nga kjo, shumë shpejt emërtimi do të ndërrohet nga ish-zv/president në president i zgjedhur. Është një ditë e lumtur për vendin tonë, sepse Joe Biden është një unifikues, sepse ai është i vendosur që t’i bashkojë njerëzit dhe sepse ai respekton të gjitha pikëpamjet”, deklaroi ajo.

Pelosi citoi Biden që ditën e djeshme deklaroi se “kandidova si një demokrat, por do të qeveris si president për të gjithë njerëzit, pavarësisht nëse ata votuan për mua ose jo”.

Për kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, “Presidenti i zgjedhur Biden ka një mandat të fuqishëm për të udhëhequr dhe do të ketë një Dhomë të fuqishme demokratike dhe demokratë të shumtë në Senat. Kjo ishte një luftë për jetë a vdekje për fatin e demokracisë sonë, siç thotë ai, ‘për shpirtin e vendit tonë’. Ne nuk fituam çdo betejë, por fituam luftën”.