Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara do t’i dilnin në mbrojtje Tajvanit, nëse sulmohet nga Kina.
“Po, jemi zotuar për këtë”, tha Biden në një takim me qytetarë, që u transmetua drejtpërdrejt nga rrjeti televiziv “CNN”.
“Kemi një angazhim për këtë çështje. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një premtim përsa i përket mbrojtjes së aleatëve të NATO-s në Kanada dhe Europë dhe kjo gjë vlen dhe për Japoninë, Korenë e Jugut dhe Tajvanin”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Deklarata e tij është në kundërshtim me politikën afatgjate të SHBA-së për ta ndihmuar Tajvanin në ndërtimin e mbrojtjes së tij, por jo për ta ndihmuar atë ushtarakisht në një konflikt të mundshëm. Deklarata po ashtu vjen më pak se dy muaj pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani, ku SHBA-ja ka qenë 20 vjet e angazhuar ushtarakisht.
Presidenti iu përgjigj një anëtari të audiencës, i cili pyeti nëse Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të vazhdojnë të përballojnë zhvillimin e shpejtë ushtarak të Kinës.
“Mos u shqetësoni nëse ata do të jenë më të fuqishëm. Kina, Rusia dhe pjesa tjetër e botës e dinë që ne kemi ushtrinë më të fuqishme në historinë e botës. Unë dua që Kina ta kuptojë se ne nuk do të tërhiqemi”, tha Presidenti, për të shtuar se ai nuk do që të nisë Luftë të re të Ftohtë me Kinën.
Megjithatë, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha më vonë se Biden nuk ka ndonjë ndryshim të politikës amerikane. “Marrëdhënia e mbrojtjes e SHBA-së me Tajvanin udhëhiqet nga Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin. Ne do të vazhdojmë përkushtimin tonë sipas Aktit, do të vazhdojmë të mbështesim vetëmbrojtjen e Tajvanit dhe do të vazhdojmë të kundërshtojmë çdo ndryshim të njëanshëm të status quo-së”, tha zëdhënësi.
Tensionet midis Tajvanit dhe Kinës janë rritur kohët e fundit, sidomos për shkak të inkursioneve kineze në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit.
Në fillim të tetorit, Kina dërgoi 38 avionë lufte pranë dhe brenda hapësirës ajrore të Tajvanit. Ky ishte numri më i lartë ndonjëherë i avionëve kinezë që shkelën Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore, në një ditë të vetme.
Autoritetet e ishullit u kundërpërgjigjën duke nxjerrë në fluturim avionët luftarakë dhe aktivizuar sistemet raketore. Kina e konsideron Tajvanin një provincë të shkëputur, por Tajvani e sheh veten si shtet sovran. Këto pretendime kanë bërë që të ketë tensione të larta mes palëve. Pekini nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për të arritur bashkimin.