Kryesore Biden zgjedh Kamala Harris si zëvendëspresidente, kush është “luftëtarja e patrembur”

Biden zgjedh Kamala Harris si zëvendëspresidente, kush është “luftëtarja e patrembur”

Në Shtetet e Bashkuara, kandidati demokrat për president, Joe Biden deklaroi të martën se ka zgjedhur senatoren Kamala Harris, si kandidaten e tij për nënpresidente për zgjedhjet e 3 nëntorit 2020.

Është e para herë që një afrikano-amerikane zgjidhet si kandidate për nënpresidente nga njëra nga partitë kryesore.

Biden e bëri publike zgjedhjen e tij në faqen e tij të fushatës, që tashmë ka në faqen e pare emrat e Biden dhe  Harris dhe një fotografi të tyre, së bashku. Ai e njoftoi zgjedhjen e tij edhe në Twitter.

Biden e cilësoi atë si një “luftëtare e patrembur”, dhe një nder që do të përballen së bashku kundër Trump. Të dy duhet të pranojnë kandidaturën e tyre pas Konventës Demokrate, që do të zhvillohet javën e ardhshme.

“Kam nderin e madh të njoftoj se kam zgjedhur Kamala Harrisin – një luftëtare e guximshme për të pafuqishmit dhe një nga zyrtarët më të mirë publikë – si kandidate për nënpresidente”, shkruan kandidati demokrat për president, Joe Biden.

Biden përmendte gjithashtu edhe bashkëpunimin e Senatores Harris, që ka qenë Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë, me të birin e tij, Beau që ishte Prokuror i Përgjithshëm i Delauerës.

“Pashë se si ata u përballën me bankat e mëdha, mbështetën njerëzit e punës dhe mbrojtën gratë dhe fëmijët nga abuzimet. Isha krenar për ta dhe jam krenar sot ta kem partnere në këtë fushatë”, shkruan ai.

Presidenti Donald Trump, reagoi shumë shpejt me një video të faqes së tij të fushatës, të cilën e publikoi në llogarinë e tij në Twitter, ku thuhet se zonja Harris kandidoi për postin e presidentit (në garën brenda Partisë Demokrate) duke përqafuar të majtën radikale dhe se amerikanët e hodhën poshtë kandidaturën e saj.

Joe Biden “po ia jep frenat në dorë Kamalës, ndërsa të dy ata përqafojnë të majtën radikale”, thuhet në video.

“Joe i ngadaltë dhe Kamala hipokrite: të përkryer së bashku, të gabuar për Amerikën”, përfundon videoja.

Senatorja Kamala Harris, ishte konsideruar si kandidatura kryesore për këtë post, megjithëse Biden e kishte shtyrë njoftimin mes spekulimeve për kundërshtimin brenda kampit të tij ndaj emrit të saj.

Alternativa të tjera ishin diskutuar që dukej të ishin më të prirura për bashkëpunim sesa zonja Harris, një ish-rivale si kandidate brenda partisë që ishte përplasur shpesh me zotin Biden, gjatë fushatës.

Biden kishte premtuar se do të zgjidhte një grua me kualifikime të larta për postin. Së fundmi kishte pasur thirrje të shumta që ai të zgjidhte një afrikano-amerikane, ndërsa në të gjithë vendin u intensifikuan protestat për barazi racore.

Harris, një senatore e njohur, bijë imigrantësh nga India dhe Xhamaika dhe ish-kandidate për presidente, dukej si zgjedhje e natyrshme.

Disa këshilltarë kryesorë të Biden dukej se kishin ngritur pyetje për besnikërinë dhe ambiciet e saj, por duket se ai i kapërceu këto rezerva.

Harris kishte bërë disa takime këtë javë me këshilltarë të Biden, për të diskutuar mbi këto shqetësime.

Kandidatura të tjera që po konsideroheshin ishin Karen Bass, një anëtare kongresi afrikano-amerikane nga Kalifornia, ish-këshilltarja e sigurisë kombëtare, Susan Rice, ish ligjvënësja e shtetit të Xhorxhas, Stacey Abrams, senatorja aziatiko-amerikane Tammy Duckworth nga Ilinoi, senatorja e Masaçusetsit, Elizabeth Warren dhe guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer.

Pritet që Biden dhe senatorja Harris të shfaqen së bashku për herë të parë si partnerë të kandidaturës demokrate të mërkurën.

Një karrierë e suksesshme

Ajo u zgjodh senatore e Kalifornisë në 2017, pasi më parë kishte shërbyer si Prokurore e Përgjithshme në San Francisko nga 2004 deri në 2011. Ajo më pas shërbeu si Sekretare e Drejtësisë e shtetit të Kalifornisë, shteti më i populluar amerikan, në periudhën nga 2011 deri në 2017.

Harris është afro-amerikane dhe ka rrënjë indo-xhamajkiane. Lindur në Oakland, ajo studioi drejtësi në Kolegjin Hastings të Universitetit të Kalifornisë.

Harris është gruaja e tretë që shërben si senatore nga Kalifornia; ajo është e njohur për miratimin e ligjeve të rëndësishme për programet shëndetësore dhe që ka arritur rezultate të mira në ndihmën e emigrantëve të paligjshëm për të marrë vendbanimin e ligjshëm.

Ajo u shfaq në fazën e parë të parazgjedhjeve për zgjedhjet presidenciale të SHBA, por u tërhoq herët, dhe më vonë shprehu mbështetjen e saj për Joe Biden.

Harris ndjek politikën tradicionale të Partisë Demokratike.

Zgjedhja e zëvendëses së Biden konsiderohet shumë e rëndësishme.

Nëse mposht Trump, Biden do të jetë 78 vjeç kur të përurohet në janar, duke e bërë atë presidentin më të vjetër në historinë amerikane. Trump tani ka 74 vjeç.