Shëndet Bie miti i tumoreve të shkaktuara nga celularët

Bie miti i tumoreve të shkaktuara nga celularët

Telefonat celularë nuk shkaktojnë tumore në tru, sipas analizës të 16 800 rasteve të kancerit të trurit në Australi, të regjistruara që nga viti 1980.

Studimi, i drejtuar nga Agjencia Australiane për Rrezatimet dhe Sigurinë Bërthamore (ARPANSA) dhe i publikuar në revistën ”BMJ” përjashton çdo lidhje midis përhapjes së shpejtë të telefonisë mobile dhe tumoreve në tru.

“Normat e kancerit të trurit kanë mbetur mjaft të qëndrueshme gjatë dekadave dhe nuk janë rritur lloje të veçanta të tumoreve të trurit”, theksoi eksperti i radiologjisë, Ken Karipidis.

Studimi, konfirmon se përhapja e kancerit të trurit, sipas moshës së pacientëve, ka mbetur e qëndrueshme mes viteve 1982 dhe 2013. Në analizën e 16 800 pacientëve australianë midis 20 dhe 59 vjeç, hulumtuesit morën parasysh llojin dhe vendndodhjen e tumorit.

“Nuk ka pasur rritje të gliomave të lobit të përkohshëm, i cili është pozicioni më i ekspozuar, gjatë periudhës së përdorimit të konsiderueshëm të telefonave mobil”, thekson Karipidis.

Telefonat celularë janë duke u bërë më të fuqishme dhe rrjetet kanë evoluar gjatë pesë viteve të fundit, por sipas tij, rezultatet e studimit janë të një rëndësie të madhe për shkak se sasia e rrezatimit emetohet nga telefonat mobilë mbetet pothuajse e njëjtë.

”Ekspozimi më i fortë ishte disa vite më parë me telefona analoge, por rrjetet e gjeneratës së pestë (5G) që janë përhapur në shumë vende, nuk janë një shqetësim”, thekson Karipidis.