Sport Bifteku i artë i Ribery, Bayern i “dërgon faturën”. Tifozët kërkojnë largimin

Bifteku i artë i Ribery, Bayern i “dërgon faturën”. Tifozët kërkojnë largimin

Pushime dhe stërvitje në Dubai, një takim me të famshmin Nusret Gökce (“Salt Bae”), një biftek i mbuluar në flori dhe një drekë me vlerë 1200 euro: Franck Ribery postoi gjithçka në Instagram në 3 janar dhe kaq u desh që të shpërthente stuhia.

Ofendime pa fund për Ribery dhe familjen e tij, kritika të ashpra sidomos nga Franca dhe mesfushori e humbi toruan.

Bashkëshortja e tij Wahiba shkroi në Instagramin e vet: “Jemi të lumtur që na ndiqni deri në kuzhinë. Më vjen për të vjellë. E shkreta Francë. Ka kaq shumë idiotë dhe plehra…”.

Më pas shpërtheu Ribery: “Le ta nisim me ziliqarët, të zemëruarit, ata që kanë ardhur në jetë për faj të një prezervativi të çarë. Ju q…a nënat, gjyshet dhe racën tuaj. Nuk ju detyrohem asgjë, suksesi im vjen nga Zoti, nga puna ime dhe nga mbështetja e të afërmve të mi. Të tjerët, jeni vetëm guriçka në çorapet e mia”.

Reagon Bayern

Natyrisht, jeta private e futbollistit nuk i intereson shumë një klubi, por ka limite dhe Ribery i ka kaluar.

Të shtunën një zëdhënës i Bayern-it tha se njerëzit e klubit nuk e aprovonin mesazhin e tij, që kishte si shënjestër gazetarët francezë, por gjithsesi e quajti çështjen “private”. Gjithashtu, Ribery nuk pagoi për biftekun, sepse ishte i ftuar nga shefi me famë botërore.

Ndërkaq, drejtori sportiv Hasan Salihamidzic lëshoi një deklaratë nga kampi stërvitor në Dubai: “Franck u ofendua keq. Jo vetëm ai, por edhe bashkëshortja dhe familja e tij u sulmuan rëndë. Edhe nëna e tij, që sapo është operuar. Ai u vetëmbrojt dhe ka plotësisht të drejtë ta bëjë”.

Megjithatë, Salihamidzic shtoi: “Për fat të keq, në një moment Ribery doli nga binarët. Përdori fjalë që ne te Bayern nuk i pranojmë. Kam biseduar me të dhe i kam thënë që do të marrë një gjobë shumë të rëndë dhe ai e ka pranuar këtë vendim”. Drejtuesi i Bayern nuk e ka zbuluar shifrën e gjobës.

Tifozët kërkojnë largimin

Teksa skuadra ka filluar të enjten përgatitjet në Doha, Ribery nuk është parë në seancën e parë të zhvilluar nën urdhrat e trajnerit Kovaç. Ndërkohë që në rrjetet sociale tifozët kanë “masakruar” me komente ofenduese lojtarin, për të cilin i kërkojnë klubit të Bajernit ta largojë menjëherë nga skuadra.