Kryesore Bilanc lufte: 11 viktima në aksidente vetëm në një javë

Bilanc lufte: 11 viktima në aksidente vetëm në një javë

Tre persona humbën jetën në një aksident që ndodhi mëngjesin e së shtunës në afërsi të Rrogozhinës. Tre automjete u përplasën me njëri-tjetrin për shkak të shpejtësisë dhe një parakalimi të gabuar.

Viktimat janë Tonin Mëhilli 54 vjeç, oficer policie në burgun e Peqinit i cili ishte drejtuesi i njërit prej automjeteve si dhe çifti i bashkëshortëve Bajram dhe Merushe Koni që po udhëtonin në një automjet tjetër.

Nga aksidenti janë plagosur rëndë edhe dy persona të tjerë të cilët janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit dhe më pas drejt atij të Traumës në Tiranë. Njëri nga të plagosurit është një fëmijë vetëm 10 vjeç.

11 persona kanë humbur jetën në 7 ditët e fundit

Por kjo javë ka shënuar një bilanc lufte sa ku takon aksidenteve. 11 persona kanë humbur jetën në 7 ditët e fundit dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.

I rëndë ishte aksidenti i së dielës së kaluar në aksin Fier-Vlorë ku humbën jetën dy të rinj dhe u plagosën rëndë dy të tjerë. Policia arrestoi një 40-vjeçar në gjendje të dehur si shkaktar të aksidentit.

Po atë ditë një 16-vjeçar humbi jetën në një aksident në Vorë. Muaji Mars nisi me një tjetër viktimë. Një i moshuar u godit për vdekje në Bulqizë nga një makinë, e cila u largua nga vendi i ngjarjes.

Në 3 Mars një 32-vjeçar humbi jetën në aksin Korçë-Pogradec pasi makina e tij u godit nga një tjetër automjet drejtuesi i së cilës u arrestua më pas nga policia.

E premtja shënoi një tjetër ditë të përgjakshme në rrugët e vendit pasi në Qafë Kashar në periferi të Tiranës ku dalja nga rruga e një makine shënoi 3 viktima dhe 1 të plagosur.

I gjithë viti 2021 ka shënuar shifra të larta aksidentesh pasi në 2 muajt e parë të tij janë regjistruar 248 aksidente ku kanë humbur jetën 38 persona si dhe janë plagosur 286 të tjerë, raporton Tv Klan.