Kryesore Bill Gates flet për akuzat e konspiracionit për vaksinën e COVID-19: Të...

Bill Gates flet për akuzat e konspiracionit për vaksinën e COVID-19: Të zbulohet e vërteta

Miliarderi amerikan Bill Gates ka mohuar akuzat se ai dëshiron të vendosë një mikroçip në vaksinat që do të prodhohen kundër koronavirusit për të kontrolluar njerëzit. Kjo lindi se teori konspirative, por u bë mjaft e besueshme kur një sondazh i Yahoo thoshte se 28% e të rriturve amerikanë besojnë në këtë teori konspirative.

“Ne duhet ta zbulojmë të vërtetën. Shpresoj që këto teori të bien pasi njerëzit të zbulojnë faktet”, tha Gates, gjatë një interviste në CBS News, duke shtuar se ai dëshiron të ndihmojë në fundin e pandemisë së koronavirusit.

“Ne duam të sigurohemi që nuk do të ketë njerëz që vdesin vetëm sepse ata nuk kanë mundësi për të bërë një vaksinë. Ne do të bëjmë një marrëveshje të mirë për vaksinën dhe duam që bota të bëjë një marrëveshje të mirë gjithashtu. Shumë prej kompanive janë angazhuar për këtë”, u shpreh Gates.

Në shpërthimin e pandemisë në masë, në muajin shkurt, fondacioni i Bill dhe Melinda Gates dhuroi 100 milionë dollarë për kërkimin e vaksinës. Në qershor, fondacioni premtoi një 1.6 miliardë dollarë shtesë për aleancën e vaksinave Gavi, një organizatë e përqendruar në përpjekjet për të imunizuar fëmijët nga pandemia e koronavirusit.

Deri më tani ende nuk ka vaksinë apo ilaç të konfirmuar që lufton koronavirusin, pandeminë që ka infektuar afro 15 milionë njerëz në të gjithë botën dhe ka vrarë të paktën 617.415 persona në më shumë se gjashtë muaj. Por ka më shumë se 100 vaksina në zhvillim, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit.