Bota Bill Gates parashikon se kur do të përballemi me pandeminë e radhës

Bill Gates parashikon se kur do të përballemi me pandeminë e radhës

Bill Gates, bashkëthemeluesi i Microsoft, ka parashikuar se njerëzimi do të përballet sërish me një pandemi tjetër në të ardhmen e afërt, por që nuk do të shkaktojë kaq shumë dëme sa Covid-19.

Në një bashkëbisedim në radio me aktoren Rashida Jones dhe me epidemiologun amerikan Anthony Fauci, Gates u shpreh se pandemia e radhës, “po patëm fat, do të vijë brenda 20 viteve”. Por, miliarderi nuk përjashton mundësinë që të vijë shumë më shpejt: “Mund të vijë edhe brenda 3 viteve”.

Gjithsesi, Gates mendon se pandemia e radhës nuk do të ketë ndikimin shkatërrues që pati koronavirusi: “U praktikuam tashmë dhe mendoj se në pandeminë e radhës do të përgjigjemi të gjithë siç bëri në fillim Koreja e Jugut apo Australia. Gjithashtu, do të kemi pajisje testuese më të mira. Nuk besoj të tregohemi budallenj herën e dytë”.

Më parë, Gates ka parashikuar se fundi i pandemisë aktuale do të jetë në vitin 2022.

Covid-19 ka regjistruar 58,4 milionë të infektuar dhe më shumë se 1,3 milionë viktima në të gjithë botën.