Shëndet “Bima e perëndeshës Afërdita”/ Të mirat dhe vetitë shëndetësore të Mersinës

“Bima e perëndeshës Afërdita”/ Të mirat dhe vetitë shëndetësore të Mersinës

Në histori, bima e Mersinës është përdorur për kurimin e shumë sëmundjeve, dekorime, në kuzhinë e deri edhe në rituale fetare.

Kjo bimë e egër, rritet në zonat e Mesdheut dhe Shqipëria është vendi ku i përshtatet klima më së miri.

Mersina është një nga bimët më të famshme në histori, por ajo mbetet një pjesë e rëndësishme e botës moderne. Për mijëra vjet, kjo bimë me emrin botanik Myrtus communis, ka gjetur vend në mitologji, histori, kulturë, mjekësi dhe në artin e kulinarisë në shumë qytetërime.

Shqipëria është vendi perfekt për rritjen e mërsinës sepse përmban të gjithë elementët e duhur të natyrës që garantojnë rritjen e saj. Dy përbërësit më të rëndësishëm për rritjen e bimëve të shëndetshme të mërsinës janë dielli dhe era.

Gjethet e mërsinës dhe frutat e saj përmbajnë një kombinim unik të përbërësve organikë ushqimorë, rrjedhimisht kjo bimë është mjaft interesante nëse përfshihet në ushqim, por edhe një burim i çmuar i vajrave esencialë. Mërsina përmban një sërë antioksidantësh dhe flavonoidësh. Është një bimë që përcjell shumë energji dhe forcon shëndetin e njeriut.

Disa prej vlerave shëndetësore të mërsinës përfshijnë: aftësinë për të zvogëluar çrregullimet në sistemin e frymëmarrjes, mbron ndaj sëmundjeve intestinale, rregullon sistemin endokrinal, parandalon disa tumorë, trajton sëmundjet e lëkurës, ul nivelin e sheqerit në gjak, përmirëson funksionimin e veshkave, forcon funksionet e trurit dhe përmirëson shëndetin e zemrës.

Vetitë e mersinës

Uji i distiluar i luleve të mërsinës është përdorur që në Mesjetë si tonik rifreskues i lëkurës. Ky ujë ka marrë emrin “Uji i Engjëllit” për shkak të vetive fantastike në tendosjen e lëkurës. Ky produkt përdoret nga të gjitha femrat në mbarë botën për pastrimin e lëkurës së fytyrës. Ngjyra e kokrrave të pjekura të mërsinës është blu.

Mersina në mitologji

Jehona e kësaj bime është projektuar në mitologjinë e lashtë greke ku amazonat dhe heroinat mbanin emrin e Mersinës. Sipas legjendave, mersina ishte një bimë e dashur për perëndeshën Afërdita, e cila kur dëshironte të shfaqej tek njerëzit zgjidhte gjithmonë formën e gjetheve të mersinës. Për më tepër në mitologjinë greke, mersina ishte një vajzë e bukur, të cilën perëndesha Athina e transformoi në një shkurre duke e dënuar për kryengritjen që bëri ndaj një mashkulli në lojërat olimpike.

Mjalti dhe reçeli i mersinës

Mjalti i mersinës ka një reputacion të lartë për shkak të vlerave të mëdha antibakteriale në krahasim me çdo mjaltë tjetër në botë. Kokrrat e mërsinës janë fantastike për t’u bërë reçel. Rezultati është një masë e trashë, e errët dhe me aromë shpërthyese. Reçeli i mërsinës përdoret në Sardenja në përgatitjen e ëmbëlsirave. Zakonisht reçeli i mërsinës përgatitet duke shtuar edhe fruta të tjera siç janë mollët. Çaji i mërsinës është një nga pijet që gjithë secili nga ne duhet ta provojë një herë në jetë. Për përgatitjen e këtij çaji, rekomandohet çaji i malit i zier me një grusht kokrra mërsine, të cilat janë zier edhe më përpara. Lëngu duhet ftohur në temperaturën e dhomës dhe më pas do të sjellë të gjitha vlerat për organizmin tuaj.