Kulturë “Biri” – Një monument dashurie

“Biri” – Një monument dashurie

Nga Kliton NESTURI

Me duart që m’u drodhën, e tërhoqa nga rafti i një librarie të vogël e cila gjendet pranë shtëpisë ku banoj, librin “Biri” të mikeshës time Flutura Açka. Qysh sa ky libër doli për lexuesin, isha i vetëdijshëm për dramën që do të ndeshja nëpër faqet e tij. E kam njohur Jerin van der Brink që kur ishte i vogël, madje shumë herët, dhe ikja e tij ma këputi kokën, aq sa nuk kisha fjalë të ngushëlloja dy prindërit e tij Fluturën dhe Riçardin. Çdo fjalë më është dukur e tepërt, përballë dhimbjes. Ikja e një njeriu është e zakonshme, por ajo e një djali të ri, i cili veç rrezatonte energji pozitive dhe e shihte të ardhmen sa më bukur, të bën memec.

Fjalë pas fjale, rresht pas rreshti dhe faqe pas faqeje, u trondita me atë që lexova, dhe ato çaste më kujtua një shprehje e aktorit Enver Petrovci, të cilën ma ka shprehur në një dokumentar që kam realizuar vite më parë për RTK, kushtuar aktores së ndjerë Adriana Abdullahu: “Zoti i merr më të mirët para kohe, ndërsa të tjerët, edhe ata më të këqijtë i lë të jetojnë gjatë!”…

Fjalë pas fjale, rresht pas reshti dhe faqeje pas faqeje, përballë meje u shfaq një HERO, i cili plot dinjitet, forcë dhe guxim u përball me sfidën më të madhe, pikërisht atë sfidë, ku edhe burrat me mjekër apo edhe ata që kanë në duar fatet e njerëzimit, përkulen e ikin duke qarë. Ky hero nuk qau, nuk u lebetit, por e mbyti duke e vënë poshtë dhimbjen duke u dhënë forcë e kurajë jo vetëm vetes, por edhe prindërve të tij dhe të gjithëve që i pati afër në kohën më të vështirë. Nuk është e lehtë të përballesh me fatin që të përplaset mbi vete duke të goditur egërsish fort, duke të ti thyer të gjitha ëndrrat dhe projektet për të ardhmen që mendon të ndërtosh bukur, por është fisnikëri dhe heroizëm t’i tregosh atij udhën duke vazhduar të jetosh si një sfidant i paepur deri në fund. Kjo e bën Jerinin të adhurueshëm, jo vetëm nga nëna e tij, e cila e ka përshkruar në mënyrën më të bukur dhe më të plotë në këtë libër, por nga të gjithë. Ai është personifikimi i brezit të ri, të cilin do ta deshim ta shihnim të na udhëhiqte jo vetëm në të ardhmen e afërt, duke na dhënë modelin se si mund të ndërtohet dhe të jetohet në një botë më të bukur, më të paqtë dhe të mbushur me vlera të larta humane, shumë larg kësaj shtjelle të egër ku endemi sot të mbushur përplot me krime, vjedhje, mashtrime, varfëri, dyfytyrësi, urrejtje dhe plot e plot të këqija të tjera që po na mbysin për çdo ditë.

Në këtë libër, unë u përballa me një Jerin që ndoshta nuk do ta kisha njohur kurrë kaq fort. Madje, jo vetëm unë. Përshkrimi që Flutura Açka i bën BIRIT të saj, i cili sot është Heroi real që duhet të na frymëzojë të gjithëve, nuk është thjesht rrëfimi i nënës për birin, por edhe rrëfimi i mikes më të mirë, i bashkëkohëses, i bashkudhëtares. Ata qenë gjithmonë bashkudhëtarë, dhe nuk ka përshkrim më besnik se sa ai i njeriut që të shoqëron kudo, në çdo hap.

Marrëdhënia me Birin është një marrëdhënie kryesisht e munguar në familjen dhe shoqërinë shqiptare, e cila është hallakatur kryesisht pas gjërave pa vlerë, e ku vëmendja dhe dashuria që mungon është humbja më e madhe. I parë edhe si një refleksion i ndërtimit të vlerave, kjo vepër sjell një kulturë jo veç në përballimin e sfidave, por edhe në ndërtimin e jetës, prej së cilës shoqëria shqiptare është ende larg. Gjithçka nis bukur që nga ato që quhen “grimca” e duke përfunduar tek sublimja, duke u ngritur kështu si një monument dashurie për jetën.

Për Flutura Açkën, ashtu si për çdo prind, shkrimi i një vepre të tillë, padyshim është një sfidë e madhe. Jo pse duhet të nxjerrë prej vetes dhimbjen që në mos në një çast në një tjetër kërkon që ta vërë poshtë, e për ta ndarë atë me prindër e njerëz të tjerë që kanë përjetuar të njëjtin fat, por dhe për të ndarë me të gjithë modelin e një dashurie që nuk shuhet kurrë, e që gjithnjë jeton në një trajtë universale. Mbi të gjitha, jeta jonë ka nevojë për përcjelljen e dashurisë dhe vlerave të larta tek njëri-tjetri, pavarësisht moshës, seksit, etnisë dhe racës. Fati i një njeriu nuk është kurrë i ndarë nga fati i shoqërisë në të cilën ai jeton, sikundër edhe fati i shoqërisë nuk është i shkëputur nga ekzistenca e vlerave që përcjell individi.

E parë në këndvështrimin human, “Biri” është një vepër që të trondit për fatin tragjik, por njëkohësisht edhe të bën të admirosh pafund forcën e Jerinit, e këtij djali të ri, i cili ishte heroi i jetës së tij dhe tashmë edhe i yni.