Bota Biseda “off record”/ Conte i rrëfehet Merkelit për aleatin e vet: Salvini...

Biseda “off record”/ Conte i rrëfehet Merkelit për aleatin e vet: Salvini është kundër të gjithëve

Një bisedë private në anglisht, e zhvilluar mes kancelares gjermane dhe kryeministrit italian gjatë samitit në Davos qarkullon sot në mediat italiane.

Merkel dhe Conte kanë biseduar gjatë një seance pushimi në samitin e Davosit, por biseda është kapur nga kamerat e televizionit italian, T7.

“Salvini është kundër të gjithëve”, i thotë Conte kancelares gjermane në lidhje me ministrin e Brendshëm të Italisë.

Më tej, Conte i thotë Merkelit se Lëvizja 5 Yjet është e shqetësuar për shkak të sondazheve që e paraqesin dobët në krahasim me Legën e Salvinit, ndërsa po afrohen zgjedhjet europiane.

Në përgjigje të një pyetjeje të Merkelit, Conte thotë se Lëvizja 5 Yjet e sheh Gjermaninë si mike dhe ka ndërmend të bëjë fushatë kundër Francës.

“Në prag të fushatës elektorale, tani në parti ka shumë që thonë: Gjermania është mikja jonë dhe duhet të bëjmë fushatë kundër Francës”, i thotë Conte.

Merkel buzëqesh dhe ngre sytë lart: “Është një qëndrim i thjeshtë”, thotë ajo.

“Forca ime është se kur u them “t’i lëmë këto tani”, ata nuk grinden më. Kjo është forca ime, e kam këtë pozicion”, i thotë ai Merkelit në lidhje me marrëdhëniet mes dy zëvendëskryeministrave, aleatë në qeverisje.