Kosova Bisedimet Kosovë-Serbi në Uashington: “Të njihet Kosova, kjo i hap rrugë marrëveshjeve...

Bisedimet Kosovë-Serbi në Uashington: “Të njihet Kosova, kjo i hap rrugë marrëveshjeve të tjera”

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Arben Cejku thotë se nga takimi i shumëpritur i së shtunës në Uashington lideret e Kosovës dhe Serbisë duhet të dalin me vendimin e njohjes së Kosovës. I ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi Cejku thekson se njohja e Kosovës do t’i hapte rrugën marrëveshjeve të tjera.

“Në fakt duhet të merret një vendim. Pikë së pari duhet të njihet Kosova. Dhe në momentin që njihet Kosova dhe Serbia e heq nga preambula, e heq edhe nga dy tre nene që janë atje, atëherë hapet rruga për marrëveshje të tjera të domosdoshme”, tha Arben Cejku.

Edhe politologu i njohur Hysamedin Feraj vlerëson se në këtë rast, statusi politik është më i rëndësishëm se marrëveshjet ekonomike.

“Po ta dinte Grenell këtë histori të marrëdhënieve shqiptare aty do ta dinte se nuk funksionojnë standardet para statusit. Njëherë statusi politik pastaj problemet ekonomike. Në rastin më të mirë ai nuk e njeh fare problemin. Pastaj zgjidhja është absurde, pasi edhe nëse arrihet një marrëveshje ekonomike e mirë ajo është e pazbatueshme pa ekzistencën e mekanizmave politik që bëjnë realizimin e tyre. Gjithçka duhet filluar njëherë me zgjidhjen përfundimtare të pavarësisë së Kosovës të njohur nga Serbia, pastaj të fillojë biseda midis dy shteteve.” – theksoi Feraj në Përballë.

Ndërmjetësuesi i bisedimeve Kosovë – Serbi Ambasadori Richard Grenell ka paralajmëruar se kryefjala e takimit të 27 qershorit do të jetë ekonomia, për të lënë politikën në duar të europianëve.