Aktualitet Bizneset e të rinjve mbështeten nga PNUD. Njihni disa ide të suksesshme

Bizneset e të rinjve mbështeten nga PNUD. Njihni disa ide të suksesshme

Historia e disa djemve dhe vajzave që janë bërë pjesë e “Programit të Vetëpunësimit të të rinjve”, i cili është financuar nga qeveria zvicerane dhe zbatuar nga PNUD-i. Shpesh, mjafton të kesh një ide…

Sa herë ju ka ndodhur që të kalon pranë një kafeneje dhe të pyesni veten: si ka mundësi që njerëz kaq të rinj dhe qëndrojnë më orë të tëra në kafe?! Me kësi skenash përballemi çdo ditë, por rastet që do ju rrëfejmë sot tregojnë krejt të kundërtën.

Kemi vizituar disa biznese të rinj të cilët janë bërë pjesë e programit “Zhvillimi i Aftësive për Punësim”.

Zyra Zvicerane e Bashkëpunimit për Zhvillim (SDC) po mbështet financiarisht zbatimin e këtij programit 4-vjeçar nga PNUD, i cili ndër të tjera ka impakt të drejtpërdrejtë në vetëpunësimin e të rinjve.

Janë mbi 1000 të rinj që kanë aplikuar, 230 prej të cilëve janë trajnuar dhe 36 nga këto kanë regjistruar bizneset e tyre të reja.

I pari biznesmen që takim është Gerand Matraku, student i Fakultetit Ekonomik në Tiranë. Ai është njëri prej përfituesve të programit të vetëpunësimit. Me platformën e ideuar prej tij “Mr.Posted”, që është një risi inovative në fushën e marketingut, Matraku fitoi grantin 500 mijë lekë.

Përpara gazetarëve ai tregon se para një muaji lançoi fushatën e marketingut ku e bëri të njohur Mr.Posted, dhe që ditën e dytë lidhi kontratat me bizneset e interesuara për promocionin online.

Sot numëron 150 klientë prej të cilëve gjeneron rreth 500 dollarë në muaj. Jo pak, si fillim, apo jo!

“Superheroi”

Duket se të rinjtë po ndalen shumë te teknologjia, pasi ata kanë nuhatur se e ardhmja e punëve do të jetë pikërisht aty. Ervin Kalemi ka krijuar një “Superheroi virtual”.

I diplomuar në Texas, të SHBA-së, Kalemi përmes idesë së tij ndihmon njerëzit dhe bizneset në menaxhimin e postimeve në rrjetet sociale. “Për momentin funksionin vetëm në Facebook”, thotë ai, “por plani për këtë vit është të mbulojë edhe rrjetet e tjera sociale, si Instagram, Twitter etj”. Kalemi me “Superheroin virtual”, që është aplikacioni i parë dhe i vetëm, i mundëson klientëve të tij planifikimin e publikimeve të foto albumeve, videove dhe ofertave të ndryshme të shoqëruara me logon e kompanisë. Kalemi tregon se e la Amerikën për ta zhvilluar këtë program në Shqipëri, pasi shpenzimet dhe kostoja atje do të ishte më shumë.

Enri Leka

Enri Leka

Prodhime unike nga një arkitekt

I treti që në pret në një godinë pranë Ministrisë së Arsimit është Enri Leka, arkitekt dizajn. Ai ka çelur një studio projektimi në Tiranë dhe ka punësuar 6 të rinj.

Sipas Enrit synimi i tij është krijimi i një laboratori me materiale dhe makineri të cilat do përdoren nga studentë arkitekture dhe profesionistë të tjerë. Laboratori do të përfshijë mekanizma CNC dhe do të mundësojë integrimin e artizanatit me teknologjinë. Objektivi i tij kryesorë është materializimi i ideve. “Por falë projektit për mbështetjen dhe punësimin e të rinjve, kam filluar të realizoj ëndrrat e mia profesionale”’, thotë arkitekti i ri.

Nerada Kulla

Një “Marigo”nga Durrësi

Biznesi i Nerada Kullës është një dyqan suveniresh në qendër të qytetit të Durrësit me produkte të punuara me dorë, dhurata, produkte Made in Albania si dhe produkte të ndryshme tradicionale drejtuar kryesisht turistëve të shumtë të cilët vizitojnë qytetin bregdetar.

Sipas Neradës, objektet që preferohen më shumë janë Kulla e Durrësit në miniaturë, rrugica me motive shqiptare të punuara në tezgjah, prodhime argjendi e shumë të tjera.

Nerada është një nga 100 të rinjtë shqiptarë që falë një projekti të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) për uljen e papunësisë tek të rinjtë në Shqipëri, ka biznesin e saj.

Kunguj zbukurues

E kishit menduar ndonjëherë që ta përdornit kungullin për të dekoruar një ambient?! Në Ragam të Shkodrës në bahçen e shtëpisë së Ardenisa Cokut rritën kungujt më të veçantë që keni parë ndonjëherë. Ajo kultivon shumë kunguj për dekoracion, por edhe kulinari. “Sapo kemi firmosur dy kontrata me dy restorante në Shkodër që kërkojnë kunguj për konsum dhe zbukurim”, thotë Ardenisa.

Të rrisësh perime duke mos i mbjell në… tokë

Po në Shkodër, në zonën në fshatin Melgush, Bledar Zhejani është një nga 104 të rinjtë përfitues të “Programit të Vetëpunësimit të të rinjve”, i financuar nga qeveria zvicerane dhe zbatuar nga PNUD-i.

Ideja që ai ka sjell me siguri ndodh për herë të parë në Shqipëri.

Bledar Zhejani

Bledari, nëpërmjet biznesit të tij synon të zhvillojë sistemin e Aquaponics në vendin tonë, sistem ekologjik për rritjen e perimeve/frutave dhe peshkut në simbiozë me njeri-tjetrin, pa përdorimin e kimikateve, pa përdorimin e tokës, reduktimin e konsumit të ujit në vetëm 1-5 për qind, rritjen e produktivitetit disa herë dhe me shfrytëzimin e energjisë diellore për të përmbushur nevojat e sistemit me ujë të ngrohtë, ngrohje dhe elektricitet.

“Ideja e biznesit qëndron në një sistem ekologjik, i cili quhet ‘Aqua Poniks’ i përbërë mes një aqua kulturë, e cila është rritja e peshqve dhe gaforreve dhe hidro-ponick që është rritja e bimëve me ujë”, tha Bledar Zhejani.

Sipas të dhënave të projektit gati të gjithë të rinjtë biznesmenë janë shumë të kënaqur dhe shprehen optimistë se bizneset e tyre do të zhvillohen.

E.Resuli