Kryesore Blinken uron shqiptarët për Pavarësinë: SHBA do të mbështesë institucionet demokratike, reformat...

Blinken uron shqiptarët për Pavarësinë: SHBA do të mbështesë institucionet demokratike, reformat dhe të ardhmen në BE

Sekretari amerikan e Shtetit Anthony Blinken ka uruar shqiptarët në 109-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Në mesazhin e tij në këtë festë Blinken thekson miqësinë e qëndrueshme me vendin tonë, që daton mbi një shekull më parë që kur presidenti Woodrow Wilson mbrojti prerazi pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Shqipërisë për festimin e 109-vjetorit të Pavarësisë. Miqësia jonë e thellë dhe e qëndrueshme daton më shumë se një shekull nga koha kur Presidenti Woodrow Wilson mbrojti prerazi pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919”.

Ai vlerëson Shqipërinë që këtë vit hapi dyert për afganët sikurse vepruan me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Që nga ajo kohë, shqiptarët kanë demonstruar forcë dhe qëndrueshmëri të madhe duke hedhur poshtë shtypjen e një diktature komuniste dhe duke ndërtuar një demokraci të përkushtuar ndaj tolerancës, të drejtave të njeriut dhe integrimit evropian. Shqipëria e demonstroi këtë frymë përsëri këtë vit duke hapur dyert e saj për afganët në nevojë dhe ata vazhdojnë të ofrojnë një port të sigurt siç bënë për mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe grupe të tjera që ikin nga persekutimi gjatë dekadave të fundit”.

Blinken thekson se SHBA do të mbështesë institucionet demokratike të Shqipërisë, reformat në drejtësi dhe ekonomike, si dhe të ardhmen në Bashkimin Evropian.

“Në vitin 2021, ne shënuam 30 vjet të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke reflektuar mbi gjithçka që amerikanët dhe shqiptarët kanë arritur së bashku që nga viti 1991. Sot ne jemi aleatë brenda NATO-s dhe vitin e ardhshëm do të shërbejmë së bashku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur institucionet demokratike të Shqipërisë, reformat në drejtësi dhe ekonomike, si dhe të ardhmen në Bashkimin Evropian.

Ne presim të thellojmë edhe më tej miqësinë tonë dhe mbetemi krenarë që e quajmë Shqipërinë mik, partner dhe aleat”.