Kryesore Rama i prerë: Kush nuk kthehet në punë nesër, nuk do gjejë...

Rama i prerë: Kush nuk kthehet në punë nesër, nuk do gjejë më vend në Albcontrol

“Ka ndodhur një akt i paimagjinueshëm, është marrë peng aktiviteti i aeroportit nga një grup i nxitur drejtpërdrejt nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Po përdorin  një gur me emrin Leshko. Kupton edhe një herë se si Ilir Meta dhe Sali Berisha janë në këtë përpjekje për të rrëzuar Qeverinë tonë, duke rrezikuar shtetin. Kanë bllokuar edhe vaksinimin. Por nuk do t’ia arrijnë. Kanë gjetur Qeverinë dhe Kryeministrin e gabuar. Unë shpresoj shumë dhe u bëj thirrje punonjësve që të kthehen në detyrë një orë e më parë”.

Pasi shpjegoi arsyet e uljes së pagave për kontrolloret kryeministri flet dhe për dëmin që i shkakton vendit ky bllokim.

“Paga është ulur si rezultat i pandemisë që ka goditur kudo dhe ka goditur më së shumti sektorin e transportit. Aktualisht e kanë mbi 2400 dollarë dhe nuk pranojnë të punojnë me këtë rrogë. I kanë bërë llogaritë gabim por plani i tyre për të mbyllur aeroportin mundësisht deri në zgjedhje dhe plani për goditjen e sigurisë kombëtare do të dështojë.  Bllokimi i aeroportit bllokon ardhjen e vaksinave, bllokon lëvizjen e qytetarëve. Këta të gjithë janë socialistë, demokratë, me bindje të ndryshme dhe goditen po njësoj në emër të asaj politike ogurzezë për Shqipërinë, ekonominë e këtij vendi, të ardhmen e këtij vendit”.

Rama thotë se e di dhe arsyen përse bllokimi i aeroportit ndërkombëtare Nënë Tereza erdhi në këtë moment, e që sipas tij lidhet me hapjen e aeroportit të ri të Kukësit.

“Për pak ditë hapim aeroportin e Kukësit, mbase dhe hapja e aeroportit të Kukësit ka qenë një nga motivet që shtynë Ilirin dhe Saliun në sulmin e çmendur në aeroportin e Rinasit”.

Rama i prerë: Kush nuk kthehet në punë nesër, nuk do gjejë më vend në Albcontrol

“Kush nuk kthehet në punë nesër, nuk do gjejë më vend në Albcontrol”. Është ky qëndrimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale iu drejtua me një apel kontrollorëve të cilët janë futur në grevë.

“Apel për kontrollorët e Rinasit: Ndahuni nga ata që ju futën në këtë lojë të çmendur me zjarrin! Braktisini në rrugën e tyre qorre organizatorët e kallzuar penalisht! Kush nuk kthehet në punë nesër, nuk do gjejë më vend në Albcontrol. Koha e Rrumpallës ka vdekur dhe nuk kthehet!”, shkruajti Rama në një postim në Twitter.

Më herët, Ministrja Belinda Balluku i bëri gjithashtu thirrje kontrollorëve që t’i kthehen detyrës, në të kundërt ajo paralajmëroi nxjerrjen e tyre nga policia, nga godina e AlbControl. Ministrja njoftoi gjithashtu dërgimin e Forcave të Armatosura, që morën në ruajtje ndërtesën në fjalë.