Aktualitet Bllokimi i shqiptarëve në Varshavë, MEPJ: Polonia ndryshoi papritur regjimin e hyrjes

Bllokimi i shqiptarëve në Varshavë, MEPJ: Polonia ndryshoi papritur regjimin e hyrjes

Ministria për Europën dhe Punëve të Jashtme ka reaguar lidhur me moslejimin e qytetarëve shqiptarë në Aeroportin e Varshavës.

Në njoftimin për shtyp, MEPJ thekson se në mënyrë të papritur, Polonia ka ndryshuar regjimin e hyrjes së qytetarëve shqiptarë në Poloni.

Për shkak të këtij ndryshimi, ditën e shtunë, më 15 gusht 2020, qytetarë shqiptarë, të cilët u nisën në udhëtim drejt aeroportit të Varshavës me linjën ajrore të Kompanisë Polake, LOT Airline, nuk janë lejuar, që të hyjnë në Poloni.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Poloni në komunikim të ngushtë me disa shtetas të bllokuar në aeroportin e Varshavës, u vu menjëherë në komunikim me autoritetet vendase dhe me drejtuesit e kompanisë ajrore LOT Airline, duke arritur të bëhej e mundur vendosja e një avioni charter në dispozicion të shtetasve, për t’i rikthyer në atdhe, sot, e diel, 16 gusht 2020, herët në mëngjes”, deklaron MEPJ.