Politika Bllokimi në Rinas, Rama: Plan djallëzor nga Presidenti dhe ish-Presidenti

Bllokimi në Rinas, Rama: Plan djallëzor nga Presidenti dhe ish-Presidenti

Kryeministri Edi Rama ka folur nga Gjirokastra në lidhje me situatën e krijuar nga kontrollorët e trafikut ajror. Kreu i qeverisë e konsideroi goditje të çmendur lënien e tyre të punës, dhe tha se llogaritë ishin bërë në mënyrë “djallëzore” pasi koha për t’i zëvendësuar në këto momente që jemi para zgjedhjeve krijon pasiguri. Megjithatë ai u shpreh se këto llogari u bënë gabim pasi qeveria mundi që të sjellë në Shqipëri sasinë tjetër të vaksinave antiCovid.

Rama ripërsëriti se pas kësaj ngjarje qëndron Presidenti Ilir Meta dhe ish-Presidenti, Sali Berisha.

“E patë çfarë ndodhi dje, një goditje e çmendur ndaj një prej aktiviteteve jetësore të vendit që është qarkullimi ajror që kërcënoi të bllokonte procesin e vaksinimit për disa javë sepse është një lloj aktiviteti shumë i veçantë dhe ata që e garantojnë këtë aktivitetet, kontrollorët ajrorë nuk janë punonjës dosido që mund të zëvendësohen sa hap e mbyll sytë dhe llogaritë ishin bërë me thënë të drejtën në mënyrë shumë djallëzore sepse koha për t’i zëvendësuar mund të jetë disa javë dhe aq duheshin për të siguruar pasiguri nga e para për të nxitur nga e para kthimin e rrumpallës, por i ishin bërë hesapet pa hanxhinj sepse ndërkohë ne ishim të përgatitur për ta përballuar atë goditje. Dhe e përballuam. Vaksinat u vonuan për fat të keq. Humbëm një ditë. Një ditë ia lamë hapësirë armikut të padukshëm për shkak të atyre xhagajdurëve, ama sot, tani, vaksinat mbërritën, ndërkohë që luftuam gjithë natën që të mos iknin në një drejtim tjetër se nuk e kupton njeri. Ça domethënë kjo që i keni porositur, është ora për t’i nisur, jo mbajini atje se nuk i marrim dot. Nuk i merrni dot, i merr dikush tjetër. Kacafytja për të marrë vaksinat është një kacafytje botërore, të gjitha vendet janë në këtë kacafytje.

Si mund t’ua argumentosh që në këtë punë kemi një President bashkë me një ish-President  që janë përfshirë në një çmenduri dhe kanë futur në qorrsokak disa të tjerë përmes disa leshkosh të tyre për të bllokuar aktivitetin ajror të vendit. Kush e kupton këtë? Vaksinat mbërritën në Shqipëri para pak dhe ne do të vazhdojmë vaksinimin sepse jemi të vendosur që ta nxjerrim Shqipërinë dhe shqiptarët nga tuneli sfilitës i pandemisë dhe që sezonin e ri turistik ta kemi më të lehtësuar që gjithë ata në Gjirokastër lart që kanë hapur tërë ato dyer të kenë mundësi të presin, të shesin dhe të rrisin ekonominë e tyre. Ashtu sikur ta të gjithë të tjerët në Shqipëri”, tha Rama.