Kryesore Bode: Do të qëndroj larg politikës!

Bode: Do të qëndroj larg politikës!

Parlamenti po shkon drejt zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Komisioni i Ekonomisë miratoi kandidaturat që do të kalojnë për votim në seancë plenare. Qeveria ka propozuar zonjën Suela Popa, ish-drejtore e Agjencisë së Zhvillimit Rural dhe bashkëshorte e deputetit të LSI-së, Vangjel Tavo; zonjën Edlira Luçi dhe ish-ministrin demokrat të Financave, Ridvan Bode. Ky i fundit tha para komisionit se angazhimi i tij në këshill do të jetë larg ngarkesave politike.

Tre kandidaturat e tjera janë juristi Artan Hoxha, ish-ministri i Financave Arben Malaj dhe pedagogia e ekonomisë Luljeta Minxhozi, propozime të Kuvendit për anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Tre kandidatët duket se kanë marrë 28 firmat e nevojshme nga deputetët e mazhorancës, ndërsa opozita nuk mbështet asnjë kandidaturë.

Emërimi në detyrë i anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës do të bëhet pas votimit në seancë plenare nga Parlamenti.