Politika Bojkotoi Kuvendin, por gjykata i jep 9 paga deputetit të PD

Bojkotoi Kuvendin, por gjykata i jep 9 paga deputetit të PD

Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar padinë e kreut të grupit parlamentar demokrat Edmond Spaho duke urdhëruar Kuvendin ti paguaj rrogat e 9 muajve me një vlerë totale 764 mijë lekë. ReportTv ka siguruar ekskluzivisht vendimin e gjykatës administrative ku Spahos i është njohur e drejta për të përfituar këtë dëmshpërblim për periudhën 01.0702014 deri në 01.01.2015 si dhe për periudhën 01.02.2017 deri në 01.06.2017. Por përse u ndalua paga Spaho dhe ai ju drejtua gjykatës?

Sipas vendimit të siguruar nga ReportTv gjithçka lidhet me vendimin politik të opozitës për të bojkotuar parlamentin në periudhën Korrik-Dhjetor 2014 pas përplasjes së deputetit Gent Strazimiri me deputetin Arben Ndoka si dhe për bojkotin e dytë në periudhën Shkurt 2017 bojkot i lidhur me përplasjet politike për reformën zgjedhore. Fillimisht kreu i grupit parlamentar demokrat i ka dërguar një shkresë Kuvendin ku i ka kërkuar Kryetarit te Kuvendit, trajtimin financiar të deputetëve të opozitës parlamentare për periudhën e bojkotit, me arsyetimin se mungesat nuk kanë qenë individuale për deputetet, por si një vendim politik i grupit parlamentar.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i ka kthyer përgjigje Kryetarit te Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, se kërkesa për trajtimin financiar të deputeteve të opozitës, nuk mund të pranohet, pasi ndalesat në pagë dhe përfitimet e tjera financiare ndaj deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, janë bërë në përputhje me Ligjin nr. 8550, date 18.11.1999 “Statusi i Deputetit. Sipas argumenteve të gjyqtarit Emiljano Ruli të siguruar nga Report Tv rezulton se mungesa e deputetit Spaho në Kuvend në këtë periudhë ka qenë konformom vendimit të grupit parlamentar dhe nuk përbën shkak për ndalimin e pagës.

“Gjykata vlerëson se në kuptim të statusit kushtetues të deputetit dhe ushtrimit të mandatit parlamentar edhe kjo vendimmarrje dhe qëndrim politik i një grupi parlamentar është një mënyrë e ushtrimit të aktivitetit parlamentar. Për rrjedhojë nuk mundet të konkludohet në këto raste se deputeti, i cili vepron sipas vendimit të grupit parlamentar ku ai bën pjesë, të konsiderohet sikur po mungon në mënyrë të pajustifikuar në punë dhe për pasojë nuk po e ushtron mandatin e deputetit në kundërshtim me detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore”, -mbyll arsyetimin e kësaj vendimmarrje gjyqtari Ruli.