Sport “Bomba Covid-19”, studimi: Liverpool-Atletico shkaktoi 41 të vdekur

“Bomba Covid-19”, studimi: Liverpool-Atletico shkaktoi 41 të vdekur

Është folur shumë se ndeshjet e fundit të Champions League, të cilat u luajtën në ditët e para të marsit, kanë pasur një ndikim të madh në përhapjen e Covid-19 në Evropë, ndërsa së fundmi janë publikuar edhe fakte për këtë.

Të dhëna nga Shërbimi Shëndetësor Britanik, të analizuara nga “Edge Health” dhe të publikuara nga “Times”, janë të qarta: Në ndeshjen e 11 marsit, të vlefshme për Champions League, Liverpool-Atletico Madrid, humbën jetën 41 tifozë anglezë të prekur me Covid-19, të cilët kishin qenë të pranishëm në “Anfield”.

Në atë kohë, në Spanjë kishte rreth 2200 persona të konfirmuar me koronavirus, gati 500% më shumë se sa në Angli.

Tashmë, polemikat për këtë ndeshje të vlefshme për Champions duket se do të vijojnë edhe më tej. Prania e 3 mijë spanjollëve në “Anfield”, kur vetëm një ditë më parë Valencia-Atalanta ishte luajtur pa tifozë, duket se ka sjellë pasoja dramatike.

Të dhënat e “Edge Health” tregojnë vetëm numrin e tifozëve që kanë ndërruar jetë, por shumë e shumë të tjerë mund të jenë infektuar pikërisht nga të pranishmit në stadium atë mbrëmje.