Ekonomi Bombardimi me reklama në TV, 26 milionë sekonda në 2018-n

Bombardimi me reklama në TV, 26 milionë sekonda në 2018-n

Nga ofertat e kompanive celulare, ushqimet, pajisjet elektroshtëpiake, të kuzhinës e deri te dyshekët, kompanitë i bombardojnë teleshikuesit me reklama pa fund, nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë.Reklama për të cilat duhet të paguajnë nga 4 euro në sekondë, kur i transmetojnë në mëngjes deri në 70 euro në sekondë, për programet e ndjekura argëtuese të mbrëmjes, si “Portokalli” në Top Channel, apo për debatet politike, ku më i shtrenjti është “Opinion” në TV Klan me 50 euro për një sekondë reklamë të transmetuar.
Në mëngjes, gjatë ditës, apo në orarin më të ndjekur të darkës, 8 televizionet kryesore kanë transmetuar për teleshikuesit rreth 26 milionë sekonda reklama në vitin 2018, sipas të dhënave të monitoruara nga Idra Media, me një rritje prej gati 20%, në raport me 2017-n.
Top Channel është televizioni që ka transmetuar më shumë kohë publicitare, me 4.9 milionë sekonda.

Klan është i dyti, me 4.2 milionë sekonda.

Në vend të tretë, për nga koha e publicitetit të transmetuar në 2018-n, ka kërcyer ABC News, me 3.8 milionë sekonda.

Vizion Plus, me 3.54 milionë sekonda, është i katërti, duke ia kaluar News 24, që kishte mbajtur vendin e tretë në 2017-n.

Më pas vjen Report TV me 2.9 milionë sekonda dhe Ora News, me 2.1 milionë.

Sektorët më të mëdhenj reklamues, sipas kohës së reklamave të transmetuara, vijojnë të mbeten telekomunikacionet, të cilat pas rënies në 2017, kanë rritur sërish buxhetet në 2018-n, ku ndikimin kryesor në këtë përmirësim e ka dhënë Telekom Albania.

Në vend të dytë është tregtia me pakicë, që në tre vitet e fundit ka shënuar rritje të ndjeshme dyshifrore, si rrjedhojë e riorganizimit të saj.

Më pas renditen televizionet, kryesisht reklamat e DigitAlb dhe Tring TV. Në vend të katërt janë produktet ushqimore, edhe ato me rritje të ndjeshme në dy vitet e fundit.

Më pas vijnë reklamat e dyshekëve, që ndonëse zënë një hapësirë të gjatë transmetimi, kanë një peshë të ulët në vlerë, për shkak se transmetohen në oraret e paradites, kur çmimet janë të lira.

Kompania, reklamat e së cilës shfaqen më shpesh në televizionet shqiptare, është operatori celular, Telekom Albania, me 1.96 milionë sekonda në 2018-n, sipas të dhënave të Idra Media, me një rritje prej 73% me bazë vjetore. Rritja e buxhetit të Telekom Albania në 2018-n ka zhvendosur për shumë pak, në vend të dytë, Vodafone, i cili historikisht ka pasur kohën më të madhe të reklamimit në televizione, por edhe buxhetin më të lartë në vlerë. Vodafone shfaqi në televizionet shqiptare 1.95 milionë sekonda reklamë në 2018-n. Ndryshe nga Telekom Albania, Vodafone e ka ulur me 12% kohën e reklamave televizive.

Në vend të tretë ka kaluar platforma dixhitale Tring, me 1.35 milionë sekonda (rritje 43%), pjesa më e madhe e të cilave shkojnë për Vizion Plus, me pronësi të njëjtë.

E katërta është platforma televizive me pagesë Digitalb, me 1.34 milionë sekonda (rritje 18%). Një pjesë e konsiderueshme e reklamave të saj shkojnë në Top Channel.

Në grafik, nga renditja e reklamuesve më të mëdhenj televizivë sipas sekondave, janë hequr kompanitë që shesin online në televizion, pasi, ndonëse zënë një pjesë të madhe kohore në transmetimet televizive, shpenzojnë pak para, teksa shfaqen në orare kur tarifat e transmetimit janë tepër të ulëta.

Studio Moderna Albania, BCTV, ED Shop, Delimano, Sondor në total transmetuan 6.6 milionë sekonda reklama, sipas monitorimeve të Idra Media në 2018-n, me një rritje prej 32%. Por, buxheti i secilës prej tyre është mesatarisht 200-500 mijë euro, që në vlerë janë shumë më të ulëta sesa buxhetet e marketingut të kompanive celulare dhe televizioneve me pagesë.

:Burimi: Monitor