Bota Boris Johnson: Doktorët përgatitën njoftimin e vdekjes time

Boris Johnson: Doktorët përgatitën njoftimin e vdekjes time

Kryeministri britanik Boris Johnson zbuloi se doktorët po përgatiteshin të njoftonin vdekjen e tij nga koronavirusi, gjatë kohës që ai ishte i shtruar në spital në gjendje aspak të mirë.

Në një intervistë për “Sun on Sunday”, Johnson thotë se kishte nevojë për shumë oksigjen dhe shtoi se eksperienca në spital e bëri që t’i shtohej dëshira për të ndaluar vuajtjen e të tjerëve dhe për të ringritur në këmbë Mbretërinë e Bashkuar pas pandemisë.

“Në spital, isha i lidhur me disa monitorë dhe shikoja që të dhënat aty shkonin gjithmonë në drejtimin e gabuar. Ishte një moment shumë i vështirë, nuk kam pse ta mohoj. Pyesja veten se si do të shpëtoja. Doktorët nisën të bënin strategjinë nëse nuk e fitoja betejën”, theksoi kryeministri.

“Ishte e pabesueshme se si shëndeti m’u përkeqësua në atë gradë brenda pak ditëve. Për mua pritej të zbatohej e njëjta strategji si për vdekjen e Stalinit. Qeveria kishte një plan rezervë. Doktorët më dhanë një maskë, litra të tërë oksigjeni për një kohë të gjatë. Momenti më i keq erdhi kur u përballëm me vendimin për të futur një tub nga fyti, dhe nisën të mendojnë se si do ia prezantojnë këtë lajm publikut. Por puna e infermierëve ishte e mrekullueshme”, tregoi kreu i qeverisë britanike në një intervistë për gazetën vendëse, “The Sun”.

Johnson u diagnostikua me koronavirus në 26 mars dhe u shtrua në spital 10 ditë më vonë. Një ditë pas shtrimit, u dërgua në terapi intensive.

“Nuk e besoja dot që në aq pak ditë shëndeti im u përkeqësua aq shumë. Momenti më i keq ishte kur shanset e mia për mbijetesë ishin 50-50. Doktorët po mendonin nëse do më vendosnin tubin”, shtoi Johnson.

Johnson u rikthye në punë të dielën, me dëshirën e madhe, thekson ai, për të luftuar sëmundjen infektive dhe për ta ngritur sërish në këmbë vendin.

Një ditë më parë, pandemia Covid-19 u shkurtoi jetën 621 qytetarëve të tjerë në vend, duke e çuar mbi 28 mijë bilancin e viktimave, më i larti në Europë pas Italisë.

Por sipas autoriteteve numri i atyre që marrin trajtim në spital është ulur nga java e mëparshme.