Bota Boris Johnson pas triumfit: Kemi mandat të fuqishëm për Brexit

Boris Johnson pas triumfit: Kemi mandat të fuqishëm për Brexit

Fitore historike për Konservatorët e Boris Johnson në zgjedhjet e përgjithshme të Mbretërisë së Bashkuar.

Partia e kryeministrit zotëron mazhorancë të plotë në Dhomën e Komunëve duke triumfuar me 363 deputetë nga 650 në total. Për Johnson ky ishte një mesazh i qartë i popullit britanik për qeverinë e tij.

“Qeverisë Konservatore i është dhënë një mandat i ri i fuqishëm për të përmbyllur Brexit. Gjithashtu për të bashkuar vendin dhe për të ecur përpara duke u fokusuar në prioritete për popullin britanik”, deklaroi kryeministri britanik.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve u garanton Konservatorëve një qeverisje të sigurt dhe pa probleme për 5 vitet e ardhshme.

Johnson arriti në këtë sukses historik duke sfiduar të gjitha shanset. Mori drejtimin e qeverisë në kohë krize të thellë dhe premtoi se do të arrinte një marrëveshje të re për Brexit me Bashkimin Europian dhe ia doli. Kërkoi zgjedhje të parakohshme, duke sfiduar dhe kundërshtarët brenda partisë së tij: dhe në fund arriti të fitonte dhe këtë bast politik, duke hyrë në garë menjë pasiguri të madhe, pasi një pjesë e lartë votuesish ishin ende të pavendosur.

Nga ana tjetër është Partia Laburiste që ka marrë ndoshta goditjen më të rëndë gjatë viteve të fundit. Plani i liderit Jeremy Corbyn për Brexit u refuzua ndjeshëm, pasi ofronte vetëm shtyrje të divorcit nga BE dhe mbajtjen e një referendum të ri.

“Dua të bëj të qartë se nuk do të drejtoj partinë në zgjedhjet e ardhshme. Brenda partisë sonë do të fillojë tani një proces reflektimi për këtë rezultat dhe për politikat që do të çojmë përpara”, deklaroi Corbyn pas rezultateve zhgënjyese.