Bota Boris Johnson përflitet se mund të jetë kreu i ri i NATO-s,...

Boris Johnson përflitet se mund të jetë kreu i ri i NATO-s, por Franca është kundër

Boris Johnson po përflitet se mund të jetë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, pasi mandati i Jens Stoltenberg të përfundojë vitin e ardhshëm.

Figura të larta të Partisë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar kanë qenë ata që kanë konfirmuar të parët lajmin për agjencinë e lajmeve britanike, The Telegraph, dhe së bashku me disa deputetë ukrainas ata po lobojnë që ish-kryeministri britanik të marrë udhëheqjen e NATO-s vitin e ardhshëm.

Ndër figurat që po lakojnë emrin e Johnson është edhe ish-ministri i Brexit, David Jones i cili e quan këtë një “ide brilante”.

“Boris ka qenë në ballë të nismës perëndimore kundër Putin. Boris, ishte ai që shkoi në Suedi dhe në Finlandë dhe i bëri thirrje liderëve të të dy shteteve të aplikonin për anëtarësim në NATO” – tha ai.

Johnson është deklaruar qytetar nderi në Odessa pas mbështetjes së tij për Ukrainën, dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelensky shprehu “trishtimin” e tij pas dorëheqjes së tij si kryeministër duke e përshkruar atë si “hero”.

Ndërkohë, deputeti ukrainas Oleksi Gonocharenko ka qenë ndër zërat kryesor në Ukrainë që ka dalë në mbështetje të kësaj ideje duke thënë se “Udhëheqja e Johnson gjatë luftës bëri të mundur që ndihma ushtarake, ekonomike dhe humanitare të mbërrinin në Ukrainën.”

“Ai do të ishte personi i duhur që të zëvendësonte Jens Stoltenberg pasi ai i kupton sfidat me të cilat përballen NATO dhe Perëndimi. Ai do të mbështesë Ukrainën në luftën tonë kundër Hitlerit të shekullit 21” – tha ai.

Kjo do të ishte hera e katërt që britanikët marrin përsipër këtë rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, por zërat kritik mendojnë se në këtë iniciativë, Boris Johnson me shumë mundësi mund të haset me veton e Francës.

Një zyrtar i lart i ministrisë së mbrojtjes britanike, i cili preferoi të mbetej anonim, tha për The Telegraph, se ‘Ka një probabilitet të lartë që Emmanuel Macron të mos e votojë këtë propozim’.

“E vërteta është se NATO funksiono në bazë të konsensusit. Çdo shtet mund të vendosë veto-n. Vërtetë mendoni se Macron do ta nominojë Johnson si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s? Kjo do të ishte një sfidë në vete për çdo kandidat britanik, dhe pikë. Atij do t’i duhej mbështetja e SHBA-së dhe ‘po’-ja e Francës”, tha ai.