Ekonomi Borxhi i SHBA-së arrin nivelet më të larta që nga Lufta e...

Borxhi i SHBA-së arrin nivelet më të larta që nga Lufta e Dytë Botërore

Shuma e parave që Shtetet e Bashkuara iu detyrohen investitorëve ka arritur nivele rekord, bazuar në shifrat e raportuara nga Thesari i SHBA.

Si deficiti vjetor, ashtu edhe borxhi total i akumuluar gjatë viteve ka kapur nivele që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Thesari i SHBA-së raportoi se për vitin fiskal 2020, i cili përfundoi më 30 shtator, deficiti arriti në 3.13 trilionë dollarë (i cili vlerësohet sa 15.2% e PBB-së) falë diferencës midis asaj që vendi shpenzoi (6.55 trilionë dollarë) dhe asaj që mori (3.42 trilionë dollar).

Deficiti i vitit 2020 është më shumë se trefishi i deficitit vjetor në 2019.

Arsyeja për kërcimin e madh nga viti në vit lidhet me faktin se qeveria federale shpenzoi më shumë se 4 trilion dollarë për të ndihmuar punëtorët dhe bizneset e dëmtuara nga pandemia e Covid-19.

Duke kapërcyer 21 trilionë dollarë, borxhi i përgjithshëm që vendi iu detyrohej investitorëve, tani vlerësohet të ketë tejkaluar madhësinë e ekonomisë, duke arritur në gati 102% të PBB-së , sipas llogaritjeve nga Komiteti për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm.

Sipas ekspertëve, borxhi nuk ka qenë kaq i lartë që nga viti 1946 kur arriti në 106% të PBB-së.

“I vetmi borxh tjetër që ka tejkaluar madhësinë e ekonomisë ishte në fund të Luftës së Dytë Botërore”, tha Maya MacGuineas.

“Ne duhet të marrim hua tani, por sapo të rimëkëmbet ekonomia, borxhi ynë nuk mund të vazhdojë të rritet më shpejt se ekonomia”.

Kina rrit ekonominë me thuajse 5%

Ndërsa rivalja e Amerikës, Kina vijon të shënojë rritje të ekonomisë së saj, edhe pas pandemisë së koronavirusit.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë ka shënuar rritje të kënaqshme në tremujorin e tretë të vitit, me 4.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithsesi shifra qëndron nën parashikimin e ekspertëve, që prisnin një rritje prej 5.2%.

Por shifrat flasin po ashtu për një përmirësim të situatës ekonomike gjatë kësaj periudhe, duke menduar sesi nisi viti 2020 për Kinën e më pas pjesën tjetër të botës.

Në periudhën janar-mars, Kina regjistroi rënie të ekonomisë me 6.8%, ku mijëra fabrika e biznese u detyruan të mbylleshin, në tkurrjen e parë të ekonomisë që prej vitit 1992. Në periudhën korrik-shtator, eksportet shënuan rritje me 9.9% ndërsa importet u rritën me 13.2% krahasuar me një vit më parë.