Bota Bosi i ‘Ndrangheta-s lirohet dy herë brenda dy muajsh

Bosi i ‘Ndrangheta-s lirohet dy herë brenda dy muajsh

Për herë të dytë brenda dy muajve, bosi i ‘Ndrangheta-s, Domenico Paviglianiti, është lënë i lirë nga një gjykatë italiane pasi sipas saj i ka mbaruar dënimi. I kapur në Spanjë në vitin 1996, dënimi për të fillimisht ishte dhënë me burgim të përjetshëm, por më vonë ishte zbritur në 30 vite e më pas ishte lënë i lirë.

Por në gusht të këtij viti, më pak se 24 orë pasi kishte lënë qelinë, ai ishte arrestuar sërish me urdhër të Prokurorisë së Bolonjës, për numërim të gabuar të viteve të burgimit. Më 18 tetor, gjykata pranoi kërkesën e palës mbrojtëse urdhëruar përsëri lirimin e tij. Sipas avokatëve të Paviglianti-t, dënimi duhet të kishte përfunduar në shkurt 2019, pas 23 vitesh.

Por pas daljes së tij nga qelia, Prokuroria kishte marrë dokumente të reja që tregonin se një prej dënimeve të dhëna ndaj tij, me 17 vite burgim për pjesëmarrje në organizatë të tipit mafioz, në vitin 2005, në fakt kishte të bënte me ngjarje të ndodhura pas ekstradimit të tij nga Spanja, çka e shtynte dënimin deri në vitin 2027. Prokurorët kanë apeluar vendimin dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë.

58-vjeçari Paviglianti është shpallur fajtor për disa vrasje. Ai ishte një prej udhëheqësve të organizatës kriminale të Kalabrisë që kishte shtrirë ndikimin e saj në të gjithë Italinë, veçanërisht në Lombardi dhe veriperëndim të gadishullit.

Të gjitha dënimet e dhëna ndaj tij arrinin në 168 vite heqje lirie dhe një tjetër mister që mbetet për t’u verifikuar nga Gjykata e Lartë është se si nga burgimi i përjetshëm dënimi i tij zbriti në vetëm 30 vite.