Sport Botërori në Katar, Presidenti i FIFA-s akuzon Perëndimin për hipokrizi

Botërori në Katar, Presidenti i FIFA-s akuzon Perëndimin për hipokrizi

Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino ka akuzuar Perëndimin për hipokrizi pas ankesave dhe kritikave për të drejtat e njeriut në Katar, aty ku nesër nisin ndeshjet e Botërorit.

Në një konferencë shtypi nga Doha, Infantino foli rreth 1 orë dhe mbrojti Katarin që organizon këtë turne global.

Në Botëror janë të ndaluara pijet alkoolike brenda stadiumeve, gjë që ka ngjallur shumë reagime nga vendet perëndimore.

“Sot kam ndjenja të forta. Sot ndihem Katari, ndihem arab, ndihem afrikan, ndihem homoseksual, ndihem i paaftë, ndihem një emigrant punëtor”, tha Presidenti i FIFA, Infantino.

Guardian raportoi në Shkurt 2021 se 6500 punëtorë emigrantë nga India, Pakistani, Nepali, Bangladeshi dhe Sri Lanka kishin vdekur në Katar gjatë punimeve për ndërtimin e infrastrukturës pasi ky vend u përzgjodh për të organizuar Kupën e Botës 2022.

Lidhur me këto deklarata dhe akuza që kanë shoqëruar periodikisht këtë event që kur Katari u përzgjodh, Infantino u shpreh: Unë jam europian. Për atë që kemi bërë për 3000 vjet në mbarë botën, duhet të kërkojmë falje për 3000 vitet e ardhshme përpara se të bëjmë moral. Nëse Europa interesohet vërtetë për fatin e këtyre njerëzve, atëherë mund të krijojnë rrugë ligjore, siç bëri Katari, ku një pjesë e tyre mund të vijnë në Europë për të punuar. Jepuni atyre një të ardhme. Ky mësim i njëanshëm është thjesht hipokrizi. Pyes veten pse askush nuk e njeh përparimin e bërë këtu që nga viti 2016. Katari është gati. Kjo do të jetë Kupa e Botës më e mirë e organizuar ndonjëherë. Nuk kam pse të mbroj Katarin, ata mund ta mbrojnë vete veten. Unë mbroj futbollin.

Botërori i futbollit nis nesër në orën 17:00 me ndeshjen e parë hapëse Katar-Ekuador.