Kulturë Botohet e plotë poema satirike e Teodor Kekos “E të tjera, e...

Botohet e plotë poema satirike e Teodor Kekos “E të tjera, e të tjera”

Botohet 25 vjet më pas, pjesa e dytë e poemës satirike të Teodor Kekos, “E të tjera, e të tjera”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh sot se, “Teodor Kekon nuk mund ta kujtojmë më mirë se me veprën e tij”.

“Plot 25 vjet që nga botimi i pjesës së parë të poemës satirike “E të tjera, e të tjera”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës botohet vepra e plotë, së bashku me pjesën e dytë, lënë nga Teodori në dorëshkrim”, theksoi Margariti në një postim në rrjetet sociale.

“Një vepër plot humor e ironi, shkruar çerek shekulli më parë, në një kontekst të vështirë, por që ka mbetur aktuale”, u shpreh Margariti.

“Xhuli Shkurti Keko më premtoi se do të takohemi sërish me të tjera projektepër botimin e veprës së Teodorit”, nënvizoi Margariti.

Më 14 shtator iu kushtua një mbrëmje poetit, shkrimtarit e publicistit, të larguar nga jeta 20 vjet më parë.

Mbrëmja përkujtimore u zhvillua në sallën e koncerteve të Katedrales Ortodokse, me pjesëmarrjen e së vesë së Teodor Kekos, Xhulieta Kekos, të cilën ministrja Margariti e falënderoi që në një mbrëmje të tillë, u besoi të pranishmëve ndjenjat e saj më të thella.

Gjatë mbrëmjes kanë interpretuar vargjet e Kekos, aktorët Luiza Xhuvani, Kastriot Çaushi e Kristian Koroveshi, nën tingujt e luajtura në piano nga Etrita Ibrahimi e Ardit Gjebrea.

Pak kohë më parë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, u çel një ekspozitë në përkujtim të kontributit të tij të vyer në fushën e letrave shqipe dhe të publicistikës.

Kjo ekspozitë solli për publikun krijimtarinë e Teodor Kekos, duke nisur nga botimi i tij i parë në revistën “Nëntori” (1980) dhe vëllimin e parë me poezi “Pas provimeve” botuar në vitin 1983, e deri tek “Shënimet e një gruaje”, botuar pas vdekjes.