Politika Braçe kërkoi kallëzim penal, përmbaruesi emërohet në krye të këshillit bashkiak

Braçe kërkoi kallëzim penal, përmbaruesi emërohet në krye të këshillit bashkiak

Është konstituar sot këshilli bashkiak i Sarandës, në krye të së cilit u zgjodh Asaf Stroka. Socialistët kanë zgjedhur në krye të këshillit personin që zv/kryeministri Erjon Braçe e denoncoi publikisht pesë ditë më parë.

Asaf Stroka ishte kryetar i Përmbarimit të Sarandës që urdhëroi AKU-në të hiqte sekuestron ndaj një punishteje mishi ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme mishi dhe frutash deti të skaduara.

Ja çfarë shkruante Braçe më 1 gusht për këtë ngjarje: “Më datë 31 korrik, gjykatësi Elidon Papazisi ka hequr masën e bllokimit dhe përmbaruesi Asaf Troka, pa njoftuar zyrtarisht AKU-në ka qenë në punishte dhe ka hequr të gjitha vulat e bllokimit! A keni turp gjykatës e përmbarues bashkë?! Thoni në vendim duke e justifikuar atë se po mbroni interesin publik; jeni çmendur apo çfarë? Cili është interesi publik, të hash pula të skaduara? Apo të hash sallam prej tyre?”

Braçe deklaronte gjithashtu se kishte kërkuar nga AKU që të vlerësonte procedurat e ndjekura nga përmbaruesi Asaf Stroka dhe nëse shihte vepër penal ta kallëzonte.

“Boll më!”,- në këtë mënyrë e mbyllte reagimin Braçe.

Por pesë ditë pas kërkesës së zv/kryeministrit Erjon Braçe për kallëzim penal, Asaf Stroka emërohet në krye të këshillit bashkiak Sarandë me votat e anëtarëve të Partisë Socialiste.