Kryesore Braçe: Nëse protestuesit e opozitës futen në Parlament, do përfundojnë pas hekurave

Braçe: Nëse protestuesit e opozitës futen në Parlament, do përfundojnë pas hekurave

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ishte i ftuar në A2neës për të folur për situatën politike në vend. Ai foli për ftesën për dialog ndaj Bashës, Dosjen “339”, për përgjegjësit e gjendjes aktuale, por dhe çështje të tjera.

“Është situatë e vështirë sa i përket segmentit politik, por sa i përket segmentit ligjor, situata është shumë e qartë. Kemi një mazhorancë të dalë nga zgjedhje të njohura. Kemi dhe një qeveri të dalë nga kjo mazhorancë, e cila është kushtetuese dhe legale dhe nuk mund ta vendos këtë në diskutim asgjë. Nga pikëpamja politike, sigurisht që dalja nga kuvendi e opozitës është e rëndë, ka bojkotuar demokracinë”, tha Braçe.

Ftesa e Ramës për dialog për Bashën

Erion Braçe komentoi ftesën e Kryeministrit nga liderit të opozitës për dialog, duke thënë se mazhoranca është e gatshme. Ai tha se mazhoranca është e gatshme të japë një letër të bardhë dhe opozita të shkruajë të gjithë garancitë që kërkon.

“Ne nuk negociojmë as demokracinë, as kushtetutën, por ajo ishte një ftesë për dialog. Zgjedhjet e ardhshme janë në vitin 2021 pa as një lloj diskutimi. Nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore. Në anën tjetër, ne jemi gati të flasim për të gjitha garancitë që kërkon opozita dhe këtë e kemi bërë prej një viti, përfshirë edhe këtë historinë e blerjes së votave. Por ne nuk mund të kthehemi në histori të vjetra. Zgjedhjet e 2017-ës janë bërë nga dy parti PS dhe PD. Jemi të gatshëm tani t’u japim një letër të bardhë dhe të shkruajnë të gjitha garancitë që kërkojnë. Përfshirë edhe votimin elektronik, megjithëse koha po kalon.

Dosja 339

Braçe u shpreh se Dosja 339 është një dosje nën hetim dhe nuk ka lidhje me blerjen e votës, por për aktivitete kriminale.

“Në 2017-ën, ata nuk kanë pretenduar asgjë. Kanë pasur komisionerë dhe numërues po aq sa ne dhe në asnjë nga procesverbalet e tyre nuk është shënuar edhe një gërmë e vetme kontest në lidhje me zgjedhjet. Në zgjedhjet e 2009-ës shikoni vetëm procesverbalet e qarkut të Beratit, ku unë kam humbur mandatin e pestë të PS vetëm për 38 vota. Ishte brenda të gjitha rregullave që unë të kërkoja rinumërim. Dosja 339 është një dosje nën hetim dhe nuk ka lidhje me blerjen e votës, por për aktivitete kriminale. Në atë periudhë nuk ka pasur vëmendje apo kallëzime drejt prokurorisë apo nga policia që e drejtonte ministri demokrat. Aq sa ka dalë në media është thërrime e saj që është. Nuk gjen në asnjë rresht që Vangjush Dako, nën cilësinë e kreu të bashkisë së Durrësit, të ketë kërkuar votë përkundrejt parave, të ketë ofruar para për të blerë vota. Ajo që unë kërkoj është që prokuroria t’i shkojë deri në fund kësaj dosje, por nëse nuk ka asnjë gërmë që e implikon Dakon, atëherë të gjithë këta që flasin t’i kërkojnë ndjesë, në rast të kundërt Dako të mbajë përgjegjësi”.

Përgjegjësitë për situatën politike

“Mazhoranca për mua duhet të mbajë përgjegjësitë që i takon. Të ofrojë atë që ka ofruar dhe t’i ofrojë garanci opozitës për të hyrë në zgjedhje për t’i njohur zgjedhjet. Ambienti të jetë sa më kushtetues pasi do të jetë më mirë për të gjithë. Mazhoranca ka për detyrë të mos çedojë në lidhje me kushtetutën”.

Ftesa e KQZ

“Janë petritë që kanë fituar vendet. Politikisht kjo çështje është precedent i parë që ndodh në Europë pas kaq e kaq vitesh. Është një precedent shumë i rrezikshëm që cenon normat elementare në këtë vend dhe për këtë arsye diskutohet vetëm ligjërisht. Ftesa e KQZ është sërish për njerëz të këtyre partive që duhet të paraqiten përpara KQZ për të marrë mandatin e deputetit”.

Protesta e 5 marsit

“Është e rëndësishme që sa herë atje tej parlamentit ka një masë njerëzish që synojnë sulmin fizik ndaj deputetëve dhe Kuvendit. Sulmi mbi institucionin duhet të marrë një përgjigje të qartë ligjore. Sulmi mbi deputetin nuk është mbi Braçen, por është sulm mbi institucionin. Me sa duket është e qartë, fuqia e kësaj mazhoranca janë ato numra në parlament dhe PD e LSI e ndjen veten të parëndësishme. Më shumë sa u bë në Maqedoni nuk mund të bëjnë. Do futen brenda do godasin dhe do të përfundojnë pas hekurave”.