Kryesore Braçe: Nuk jam Lali Eri, i jam mirënjohës Fatos Nanos! Në Shqipëri...

Braçe: Nuk jam Lali Eri, i jam mirënjohës Fatos Nanos! Në Shqipëri ka oligarkë

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ishte i ftuar në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi në RTSH. Braçe komentoi protestën e studentëve si një zhvillim të ardhur në kohën e duhur për ta kthyer qeverisjen me këmbë në tokë, por edhe për një sërë çështjesh të tjera.

“Ishim në ajër në disa aspekte. Në sistemin e arsimit të lartë për shumë arsye ishin ndërtuar mure sociale që pengonin disa të rinj të merrnin arsimin e lartë”, tha Braçe.

Braçe: Jam Erion Braçe, jo Lali Eri…

Zv.kryeministri i ri, Erion Braçe është i njohur për temperamentin e tij dhe reagimet impulsive. Në emisionin “Përballë”, Braçe pranoi se komunikimi në parlament shpesh i kalonte kufijtë e etikës, por reagimet e tij i justifikojë me temperamentin impulsivë, ndërsa zgjodhi ta krahasonte veten me një personazh tjetër publik.

“Po të isha ndryshe, do më thërrisni dhe mua Lali Eri, nuk do të më thërrisnin Erion Braçe…” tha zv.kryeministri në RTSH.

Braçe vlerësoi jo vetëm qetësinë e kryebashkiakut të Tiranës në komunikim, por edhe vullnetin e tij për të punuar, pa fshehur mendimin e tij për kandidaturat e PS në zgjedhjet lokale të qershorit.

“Për mua Erion Veliaj duhet të jetë kandidatura për Tiranën dhe Fredi Kokoneshi për Bashkinë e Divjakës”, tha Braçe në RTSH.

Braçe: Në Shqipëri ka oligarkë…

Zv. Kryeministri, Erion Braçe, pranoi se në Shqipëri ka oligarkë, megjithëse theksoi se kurrkush nuk flet me emra konkretë. Ndryshe nga ish ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj që e sheh vetëm si përpjekje të opozitës për të kriminalizuar ekonomikë, Braçe thotë se ka njerëz të pasur që përpiqen të ndikojnë në politika dhe vendimmarrje.

“Ka njerëz që paragjykojnë garat, në funksion të përfitimeve të tyre personale. Ka njerëz që i mëshojnë garave të drejta dhe transparente. Unë jam nga këta të fundit. Oligarkët nuk luftohen siç thotë Lulzim Basha, që thotë do i fus në burg. Luftohen me ekonomi të hapur dhe konkurruese. Unë mendoj se ne kemi mundësi ta bëjmë këtë gjë”, u shpreh Braçe në “Përballë”.

Braçe: I jam mirënjohës Nanos e Metës…

Braçe nuk komentoi për marrëdhënien aktuale me Presidentin e Republikës, Ilir Meta, por i njohu meritën Metës, Nanos e politikanëve të tjerë të vjetër të PS-së për formimin e tij si politikanë.

“Fatos Nano i jam shumë mirënjohës për një pjesë të formimit tim, mendimin e lirë dhe kundërshtues edhe brenda PS. Nuk e mendoj dot veten në një parti si PD që ka drejtuar Sali Berisha”.

Ndonëse dihet se aktualisht Braçe e Meta nuk ruajnë marrëdhënie të mira, zv. Kryeministri nuk ushqen ide për shkarkimin e Presidentit.

“Presidenti i Republikës nuk mund të shkarkohet asnjëherë në këtë vend. Kërkon 2/3 e votave në parlament dhe po ashtu duhet të kalojë edhe në Gjykatën Kushtetuese”, tha Braçe në RTSH.