Bota Brazili dërgon ushtrinë për të luftuar më flakët në Amazonë

Brazili dërgon ushtrinë për të luftuar më flakët në Amazonë

Përballë presionit popullor, në protestë prej të premtes kundër mënyrës sesi shteti po përballet me atë çka po ndodh në pyjet e Amazonës, Presidenti Jair Bolsonaro ka deklaruar në mbrëmje vonë se do të zhvendosë atje trupat ushtarake, me pajisje të posaçme, për të luftuar me zjarrin.

“Kam autorizuar një operacion ushtarak, me personel dhe pajisje të forcave të armatosura dhe agjencive të tjera, që të luftojnë me zjarrin këto ditë dhe me çdo aktivitet tjetër të paligjshëm, që mund të ushtrohet në këto pyje”, tha Bolsonaro.

Presidenti brazilian fajësoi për këtë situatë thatësirën e jashtëzakonshme të kësaj vere. “Jemi në një periudhë tradicionalisht të thatë, edhe dimri këtë vit ka qenë i thatë dhe fatkeqësisht zjarre në pyjet e Amazonës ka pasur çdo vit. Vitet e shkuara më pak por thatësira e vitit 2019 e ka bërë situatën edhe më të rëndë”.

Dhe për t’ju përgjigjur protestave në mbarë vendin, kundër mënyrës sesi kreu i shtetit e ka përballuar këtë situatë, Bolsonaro u shpreh: “Që nga trajnimi im ushtarak dhe më pas karriera në shërbimin publik, mund t’ju them se kam një dashuri të jashtëzakonshme për Amazonën dhe mbrojtja e pyjeve të saj është detyra jonë”.

Bolsonaro akuzoi jo vetëm popullin, por edhe mediat ndërkombëtare apo edhe yjet e showbiz-it botëror për përhapje të informacioneve, pamjeve apo fotove false përgjatë orëve të fundit, për situatën në veri të Brazilit, duke i kujtuar atyre se adresimi i gabuar nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës.