Sport Brazili luan tenis, Neymar pranë historisë, dy gola larg legjendës Pele

Brazili luan tenis, Neymar pranë historisë, dy gola larg legjendës Pele

Brazili nuk bën hapa fals edhe në takimet miqësore. Pesë herë kampionët e Botës regjistruan ndeshjen e 15 radhazi pa humbje, nga korriku i vitit 2021, duke bërë hapa të sigurt drejt “Katar 2022”, e gjithashtu duke dërguar sinjale të forta për kundërshtarët.

Në Paris, të besuarit e Tite-s triumfuan 5-1 përballë Tunizisë, me një dygolësh të Raphinha-s, ndërsa rrjetën e gjeti edhe Neymar Jr., Richarlison dhe Pedro.

Sulmuesi i PSG realizoi në minutën e 29-të nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa ishte një gol i rëndësishëm për të në aspektin personal.

30-vjeçari me golin e shënuar ndaj Tunizisë shkon në koutën e 75 golave ne ndeshjen numër 121 dhe qëndron në vendin e dytë në listën e golashënuasve me vetëm dy rrjeta më pak se legjenda Pele.

Neymar, pavarësisht “etjes” dhe dëshirës për ta barazuar apo dhe për të vendosur një rekord të ri, nuk u shfaq aspak individualist, për më tepër ndihmoi skuadrën në disa raste, ndërsa tani, në Katar, dëshira e Neymar për t’u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit, mund të jetë një bonus më shumë për pesë herë kampionët e botës, të cilët kërkojnë “yllin” e gjashtë.