Kryesore “Brenda 14 dhjetorit Shqipëria bëhet me Prokuror të Përgjithshëm të ri”

“Brenda 14 dhjetorit Shqipëria bëhet me Prokuror të Përgjithshëm të ri”

Maksimumi më 14 dhjetor Shqipëria do të ketë Prokurorin e ri të Përgjithshëm. Kështu tha kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, pas mbledhjes së radhës, nga e cila u miratua metodologjia sipas të cilës do të bëhet edhe pikëzimi i kandidatëve.

“Kuvendi mund të emërojë edhe të tretin e renditur nga ne, edhe të dytin, natyrisht edhe të parin. Shpresoj të bëjë këtë të fundit. Por në rast se nuk i mobilizon këtë numër votash, atëherë renditja jonë prevalon dhe prokurori do të jetë ai që ne rendisim të parin. Kështu që në rastin më të keq, 30 ditë nga e pasnesërmja (e enjte, 14 nëntor), Shqipëria do të ketë Prokurorin e ri të Përgjithshëm”, tha Ibrahimi.

Kreu i KLP tha gjithashtu se të mërkurën do të kryheshin intervistat me kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çelaj, ndërsa të enjten lista me renditjen e pikëzuar do t’i dërgohet Kuvendit.

Nëse brenda 30 ditëve nga ky moment, nëse asnjë prej kandidatëve nuk arrin të marrë 84 vota në Parlament, atëherë kandidati i renditur i pari në listën e KLP shpallet automatikisht Prokuror i Përgjithshëm.