Bota Brenda qytetit nëntokësor të Finlandës: Mund të strehojë të gjithë finlandezët në...

Brenda qytetit nëntokësor të Finlandës: Mund të strehojë të gjithë finlandezët në rast sulmi rus

Finlanda ka qenë e përgatitur prej kohësh nga një sulm i mundshëm rus duke ndërtuar me qindra bunkere nëntokë që kanë shumë hapësirë – dhe shtretër – për të strehuar çdo banor të Helsinkit.

Finlanda dhe Rusia kanë një histori të ndërlikuar. Kjo është arsyeja pse finlandezët nuk ndihen shumë rehat dhe të qetë pranë fqinjëve të tyre, veçanërisht tani që presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar një pushtim të Ukrainës. Për shkak të gjithë situatës, Finlanda dhe Suedia njoftuan hyrjen e tyre të afërt në NATO, gjë që zemëroi më tej Moskën dhe rriti tensionet midis vendeve fqinje.

Tashmë politikanët rusë thonë se nuk do të kalojë pa reagim, përmenden edhe armët bërthamore, por Finlanda është gati. Sa gati mund të jetë një shtet? Më e pakta, Rusia ka paralajmëruar se do ta lërë vendin Finlandën pa drita, do i ndërpresë energjinë elektrike.

Nën kryeqytetin e Helsinkit, ka rreth 5500 bunkerë dhe strehimore nëntokësore të lidhura me një seri tunelesh 330 kilometra të gjatë. Ata kanë vend për secilin prej 660,000 banorëve të Helsinkit, plus 100,000 njerëz të tjerë, vlerësojnë autoritetet.

Në gjithë Finlandën ka bunkerë të sigurt dhe strehimore nëntokësore – janë më shumë se 54 mijë gjithsej (shumica prej tyre private), shkruan Telegraph.uk. Ato janë të projektuara për 4.5 milion njerëz, por mund të strehojnë lehtësisht të gjithë popullsinë e Finlandës (rreth 5.6 milion).

Ka ushqim dhe ujë të mjaftueshëm në bunkerët kryesorë të qytetit në çdo moment, shumë prej tyre janë të lidhur me dyqane, sigurisht me tunele, zinxhiri i furnizimit është i siguruar dhe, sipas zyrtarëve qeveritarë, aty mund të jetohet rehat për muaj të tërë.

Aktualisht, duke qenë se situata në vend është e sigurt, shumë nga këto strehimore nëntokësore përdoren si muze, dyqane, restorante, kafene, disa kanë dhe pishina nëntokësore, madje kisha… Në përgjithësi, autoritetet lejojnë që një pjesë e caktuar e bunkerëve të jetë e konvertuar në ambient biznesi, por vetëm nëse brenda 72 orëve çdo gjë mund të rikthehet në gjendjen e saj origjinale me shtretër dhe lehtësira të tjera për ata që mund të kërkojnë strehim.

Finlandezët u kanë kushtuar vëmendje të gjitha detajeve.

Ata gjithashtu e dinë se sa herë një person mesatar do të shkonte në tualet, sa feçe dhe urinë do të linte pas çdo ditë, sa duhmë duhet eliminuar për këtë…, shpjegoi në një intervistë për Mirror, Kimmo Kohvakka, kreu i Shërbimit Civil të Helsinkit.

Hyrjet në bunkerë janë të vendosura, shkruan media britanike, në të gjithë qytetin. Ata shpesh fshihen pas dyerve të rrënuara të mbuluara me grafite, por më poshtë është një sistem tunelesh dhe bunkerësh, të mbrojtur nga dyer speciale që mund t’i rezistojnë një sulmi me armë bërthamore, thotë Varautumisen Opettaja, i cili shoqëroi gazetarët përmes sistemit nëntokësor.

“Kur zbret, kalon një sërë dyersh. Kjo e fundit, përveç sulmit bërthamor, mbron nga të gjitha gazrat dhe armët kimike. Bombat mund të bien në sipërfaqe, por fëmijët mund të luajnë aty poshtë pa asnjë shqetësim“, thotë Opettaja.

“Mesazhi i këtyre bunkerëve është se Finlanda do të mbijetojë. Ne jemi gati për çdo gjë.”

Sipas ligjit finlandez, çdo ndërtesë më e madhe se 1000 metra katrorë duhet të ketë një bunker, ndaj nuk është çudi që ky numër të jetë 50+ mijë.

“Ne kemi mësuar nga lufta në Ukrainë se civilët dhe banesat goditen shpesh. Kjo është arsyeja pse duhet të kemi këtë sistem në mënyrë që të mund të heqim gjithçka nga sipërfaqja në një kohë të shkurtër dhe t’i çojmë në siguri. Publiku e kupton pse këto vende fshehjeje ekzistojnë”, tha Kohvakka.

Finlandezëve nuk u intereson se sa kushton ndërtimi dhe mirëmbajtja e këtyre tuneleve, ndaj për to janë shpenzuar qindra milionë euro. Ata e dinë se kushton para, por gjithashtu e dinë se janë të sigurt. Ky është prioriteti i tyre, përfundon Kohvakka.

Rusia e Finlanda kanë një histori konflikti në vitet ’40 të shekullit të kaluar. Rusia tentoi ta pushtonte vendin nordik në atë që quhet Lufta e Dimrit, por u poshtërua në fushëbetejë nga ushtria e vendit shumë të vogël se ajo si pasojë e inteligjencës së kësaj të fundit, e cila shfrytëzoi maksimalisht të ftohtin dhe detaje të tjera dimërore për ta mposhtur armikun. Gjithsesi, Rusia e ka patur gjithnjë në fokus pushtimi Finlandën fqinje, siç dhe tani, krahas dhe ish-vendeve sovjetike në Balltik.