Bota Brexit, May dënon thirrjet për një referendum të dytë

Brexit, May dënon thirrjet për një referendum të dytë

Kryeministrja britanike, Theresa May po përgatitet të dënojë ashpër kërkesat në rritje në Britaninë e Madhe për një referendum të dytë për çështjen Brexit, e konsideruar si zgjidhje e mundshme e ngërçit politik në sfondin e kontradiktave kundrejt marrëveshjes së divorcit të arritur me Brukselin.

“Ne nuk e thyejmë besimin e popullit britanik duke u përpjekur për të organizuar një referendum të ri, për Brexit”, pritet të thotë kryeministrja britanike në një deklaratë drejtuar deputetëve në Dhomën e Komuneve.

“Një proces i ri zgjedhor do të shkaktonte dëme të pariparueshme për integritetin e politikës sonë”, vlerëson ajo në një pjesë të shkëputur dhe transmetuar paraprakisht nga shërbimet e saj.

”Ky referendum i dytë me shumë mundësi nuk do të na çonte përpara dhe do të përçante edhe më tej vendin, ndërkohë që po përpiqemi ta unifikojmë”, sipas saj.

Britania e Madhe u shpreh me votë, 52%, në mbështetje të alternativës për daljen nga Bashkimi Europian në referendumin e qershorit 2016.