Sport Briken Calja i drejtohet kryeministrit, kërkon shpërblimin për medaljet

Briken Calja i drejtohet kryeministrit, kërkon shpërblimin për medaljet

Peshëngritësi medalist Briken Calja ka reaguar i indinjuar përmes një statusi në rrjetet sociale për mosmarrjen e shpërblimit që i takon për arritjet e fundit të tij në kampionatet Europiane dhe Botërore.

Rekordmeni shqiptar shprehet se ka më shumë se 19 muaj që pret të marrë prej shtetit shqiptar atë që i takon dhe nuk kërkon lëmoshë.

Calja përmes këtij postimi të gjatë tregon se ka plotësuar të gjitha dokumentet e kërkuara për këtë çështje dhe se pret nga zyrtarët e ministrisë të zbatojnë VKM për shpërblimet në sport.

“Përgjatë dy viteve të fundit kemi arritur rezultate historike për sportin shqiptar dhe për peshëngritjen në veçanti! Por në Shqipëri këto triumfe historike të hidhen në kosh sa hap e mbyll sytë.

Marrim një shembull konkret: Në Bullgari kundërshtarit tim në peshën 73 kg Andreev Bozhidar, pas 21 ditëve, kohë e cila është normale për sa i përket pritjes që i bëhen analizave anti-doping, ministri përkatës i sporteve i bën pritje zyrtare dhe i siguron mbështetje të mëtejshme institucionale, financiare dhe morale për garat e ardhshme. Ndërsa në një univers paralel, Briken Calja në Shqipëri, fitues i 4 medalje të arta e 2 të argjendta Evropiane dhe një bronzi Botërore, ende nuk është shpërblyer për të gjitha medaljet që i takojnë dhe është në pritje akoma pas 19 muajve për një pritje zyrtare nga ana e institucioneve përkatëse. Kjo është skandal dhe qesharake njëkohësisht.

Meqë ra fjala te shpërblimet, po ju informoj e sqaroj që zyrtarët e ministrisë me anë të disa argumenteve qesharakë nuk zbatojnë dhe hedhin në kosh rregullat e Federatës Botërore të Peshëngritjes dhe V.K.M-në për shpërblimet në sport. Unë po kërkoj zbatimin e një VKM-je, asgjë më shumë, as lëmoshë e asgjë. Për Brikenin flet rezultati dhe jo burokracitë dhe parazitizmat e rëndomta që gjejmë në shoqërinë tonë.

Realisht ligji i sportit dhe VKM-të përkatëse janë përmirësuar ndjeshëm po problemi qëndron zbatimi i tyre.

Po vuaj padrejtësisht këtë çështje dhe dispozitat ligjore te parashikuara në V.K.M dhe ligjin shqiptar më japin plotësisht të drejtë të përfitoj shumë herë me tepër se ç`kam përfituar deri më sot. Konkretisht, në 2018, kam marre 3 medalje ari dhe jam shpërblyer vetëm për një të tillë, shto dhe faktin që për shpërblimin e një medaljeve të vetme kam pritur 1 vit të plotë kalendarik, ndërkohë ligji shqiptar e parashikon për 3 muaj. E njëjta gjë ndodh dhe me medaljet e 2019.

Më kanë kërkuar dokumentacion nga Federata Botërore, Europës, Komiteti Olimpik dhe Federata Shqiptare. Ja kam dorëzuar te gjitha dokumentet përkatëse dhe Ministria i ka dorëzuar vetë në institucionet përkatëse. Tani nuk dihet se ku qëndron problemi.

Ç’duhet të bëj më Briken Calja?

Prisni se ka akoma: Çështje tjetër është dhe punësimi i medalistëve të kampionatit Evropian dhe Botëror. Konkretisht nga ana ligjore unë përfitoj punësim pranë Ministrisë se Brendshme ose te Mbrojtjes, por deri tani asgjë e tillë nuk ka ndodhur edhe pse dokumentacionet janë plotësuar të gjitha zyrtarisht.

Se kur do të plotësohen këto gjëra nuk e di, mbase pas një shekulli?!

Ligji dhe VKM-ja për sportet kanë një vit që kanë hyrë në fletoren zyrtare.

Jam i lodhur nga këto burokracira. Kur do të vijë dita kur do të marrim atë që meritojmë pa u bërë pjesë e këtyre dogmave skandaloze të shoqërisë sonë.

Njëkohësisht nëpërmjet këtij postimi publik i drejtohem Kryeministrit dhe Ministres së Arsimit dhe Sporteve. Jam i gatshëm të bashkëpunoj për t’i dhënë drejtimin e duhur zgjidhjes së kësaj situate. I zhgënjyer, i zemëruar por kryelartë”, shkruan Briken Calja.