Politika “Brisi i Tatimeve” tregon pse e braktisi Ramën për Kryemadhin

“Brisi i Tatimeve” tregon pse e braktisi Ramën për Kryemadhin

Brisida Shehaj, ish-drejtoreshë e përgjithshme e Tatimeve, aktualisht drejtoreshë informacioni në RTV Ora thotë se do i rikthehet politikës aktive. E ftuar mbrëmë në emisionin “Tempora” Shehaj konfirmoi zërat se është propozuar nga LSI si kandidate për deputete.

“Ka një propozim, por që LSI deri në dhjetor do të kalojë në proces zgjedhjesh dhe më pas do të vendosen se cilët do të jenë kandidatët. Unë kam kënaqësinë që jam propozuar, por ende nuk është marrë një vendim. E thotë vetë fjala, Lëvizja Socialiste për Integrim. Unë jam socialiste, jam në një parti ku socialistët mendojnë për socialistë. Në PS janë rilindasit që duan të hanë socialistët.

Po shihja pamjet, Mjaft që godiste me vezë kryeministrin me thirrjet “Nano ik”. Hall i madh, duhet të ikte Nano të vinin këta. Tani ua kuptoj euforinë. Siç e thotë emri: Lëvizja Socialiste për Integrim. Isha socialiste, jam socialiste…”, tha Shehaj.

Sonila Meço: Brisida Shehi, përfaqësuese e LSI-së. Je ende drejtoreshë programacioni në RTV Ora, që kuptohet se do ta lësh fushën politike.

Brisida Shehaj: Në një moment të dytë.

Sonila Meço: Kjo nënkupton se do të jesh kandidate e LSI-së?

Brisida Shehaj: Ka një propozim, por që LSI deri në dhjetor do të kalojë në proces zgjedhjesh dhe më pas do të vendosen se cilët do të jenë kandidatët. Unë kam kënaqësinë që jam propozuar, por ende nuk është marrë një vendim.

Sonila Meço: Pse LSI? Nga Brisi i Tatimeve.

Brisida Shehaj: E thotë vetë fjala, Lëvizja Socialiste për Integrim. Unë jam socialiste, jam në një parti ku socialistët mendojnë për socialistë. Në PS janë rilindasit që duan të hanë socialistët.