Bota Britania buzë greminës, ministri i Financave paralajmëron rënie të thellë ekonomike

Britania buzë greminës, ministri i Financave paralajmëron rënie të thellë ekonomike

Ministri britanik i Financave, Rishi Sunak deklaroi të mërkurën se Mbretëria e Bashkuar ka shumë gjasa të përballet me një rënie të thellë ekonomike këtë vit, pasi të dhënat tregojnë se ajo është dëmtuar rëndë nga pasojat e koronavirusit.

Ekonomia e Britanisë së Madhe u tkurr me shifrën rekord prej 5.8 për qind në muajin mars, kur kriza e koronavirusit u përshkallëzua dhe qeveria vendosi bllokadën në mbarë vendin. Tani, të dhënat tregojnë se një goditje edhe më e fortë pritet të vijë.

“Sikurse dihet, rënie ekonomike përkufizohet teknikisht kur GDP-ja bie në dy tremujorë radhazi. Ne kemi regjistruar një tremujor të tillë kur kishim vetëm pak ditë nga impakti i virusit. Ndaj tani ka shumë të ngjarë që ekonomia britanike të përballet me një rënie të thellë këtë vit dhe ne jemi në rënie teksa flasim”, deklaroi Sunak.

Rënia mujore e GDP-së u ndje thuajse në të gjithë sektorët, nga baret dhe restorantet tek kantieret e ndërtimit dhe fabrikat dhe ishte më e madhja që prej vitit 1997.

Në tre muajt e parë të vitit, GDP-ja u kontraktua me 2 për qind, që është dhe rënia më e madhe që prej rënies së krizës financiare nga fundi i vitit 2008.

Banka e Anglisë deklaroi javën e kaluar se kontraktimi i ekonomisë në periudhën prill-qershor mund të arrijë deri në 25 për qind dhe të çojë në rënien më të madhe vjetore në më shumë se tre shekuj.