Bota Britania e Madhe: Nuk do të ketë kufizime për qytetarët që nuk...

Britania e Madhe: Nuk do të ketë kufizime për qytetarët që nuk duan të vaksinohen

Qeveria e Britanisë së Madhe nuk po planifikon “pasaportën e vaksinës” deklaroi Michael Gove vetëm 24 orë pasi ministri i ri për shpërndarjen e vaksinës në Mbretërinë e Bashkuar la të kuptohet një gjë të tillë.

I pyetur të martën në mëngjes nëse qeveria po planifikon futjen e pasaportës së valsinës, ministri i Kabinetit Gove tha: “Jo, nuk do ta bëjmë”, ndërsa theksoi klientët mund të shkojnë në restorante, lokale dhe kinema edhe pa iu nënshtruar një vaksine kundër koronavirusit.

Përgënjeshtrimi erdhi pasi ministri për shpërndarjen e vaksinës në Mbretërinë e Bashkuar, Nadhim Zahawi, deklaroi se edhe pse marrja e vaksinës do të jetë vullnetare, disa ambiente, duke përfshirë këtu ato sportive, mund të kërkojnë një vërtetim vaksinimi që të lejojnë hyrjen e qytetarëve.

Ministri shtoi se qytetarët duhet të vendosin vetë nëse do ta marrin apo jo vaksinën, por atyre do t’iu jepet mesazhi i fortë që ajo është një gjë e mirë për familjen, komunitetin dhe vendin.

Kompanitë ajrore tashmë janë duke e shqyrtuar idenë për kërkim të “pasaportave të imunitetit” si kusht për të fluturuar.

Shumë ekspertë e kundërshtojnë këtë skemë, duke e konsideruar atë si shkelje të të drejtave të njeriut.