Bota Britania e Madhe, vendi i parë në Europë që autorizon përdorimin e...

Britania e Madhe, vendi i parë në Europë që autorizon përdorimin e vaksinës kundër COVID-19

Britania e Madhe është bërë vendi i parë në Europë që licencon një vaksinë kundër COVID-19 për përdorim masiv. Sipas mediave vendase bëhet me dije se vaksina e Pfizer dhe BioNTech do të futet në përdorim javën e ardhshme.

Dy kompanitë kishin aplikuar për përdorim urgjent në SHBA dhe Evropë pak ditë më parë, dhe tashmë Britania e Madhe bëhet vendi i parë që do lejojë përdorimin e vaksinës në popullatë.

Sipas kompanive dozat e para të vaksinës do të jenë gati në ditët në vijim dhe mësohet se qeveria britanike ka blerë 40 milionë doza, e cila është provuar dhe sipas studimeve ka një efikasitet 95%.

“Autorizimi i sotëm i përdorimit emergjent në Mbretërinë e Bashkuar është një moment historik në luftën kundër COVID-19. Ky autorizim tregon se puna jonë dhe shkenca do të fitojë“, u shpreh Albert Bourla, shefi ekzekutiv i Pfizer.

Vaksina duhet të mbahet në -70C, por kompanitë thonë se mund të ruhet deri në pesë ditë në një frigorifer, në 2-8 ° C. Grupet e para me përparësi për vaksinimin janë stafet mjekësore e më pas të gjithë grupet e tjera të riskut.

Pfizer dhe BioNTech thonë se rrjeti i tyre i prodhimit ka potencialin të furnizojë të gjithë botën me 50 milion doza brenda vitit 2020 dhe deri në 1.3 miliardë doza në fund të 2021.

Moderna dhe Pfizer-BioNTech janë në një garë të ngushtë për të përdorur vaksinat e tyre COVID-19 në Europë, pasi të dy kompanitë kërkuan miratimin e menjëhershëm të Bashkimit Europian të martën, megjithëse mbetet e paqartë nëse vaksina mund të fillojë këtë vit.

Johnson: Autorizimi i vaksinës antiCOVID-19 një lajm fantastik

Kryeministri britanik, Boris Johnson e cilësoi si fantastike miratimin nga Britania e Madhe të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit të ri, autorizimi i parë kundër COVID-19 nga një vend perëndimor.

“Është mbrojtja nga vaksinat që do të na mundësojë më në fund t’i rikthehemi jetës tonë dhe të rimëkëmbim ekonominë”, shkruan drejtuesi konservator në Twitter.

“Britania e Madhe është vendi i parë në botë që autorizoi vaksinën antiCOVID-19 nga gjermani BioNTech dhe gjiganti amerikan Pfizer, që do të jetë e disponueshme në vend që prej javës së ardhshme”, njoftoi sot qeveria britanike.