Bota Britania pranë 50 mijë viktimave nga koronavirusi, shtohen kritikat ndaj Johnson

Britania pranë 50 mijë viktimave nga koronavirusi, shtohen kritikat ndaj Johnson

Bilanci i viktimave të COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar iu afrua kuotës 50 mijë ditën e martë, duke e konfirmuar vendin si një ndër më të prekurit në botë, në një kohë kur kryeministri Boris Johnson po përpiqet të lehtësojë masat kundër epidemisë.

Bilanci i viktimave aktualisht është 49 mijë e 646. Një nivel kaq i lartë vdekjesh ka shkaktuar kritika ndaj Johnson, për të cilin partitë e opozitës thonë se u tregua shumë i ngadaltë me vendosjen e bllokadës, për të mbrojtur të moshuarit dhe për të ngritur sistemin e testimit dhe gjurmimit.

Qeveria e Johnson deklaron se ndërsa mund të ketë bërë disa gabime, po përballet me krizën më të madhe të shëndetit publik që prej gripit të vitit 1918 dhe insiston se sistemi shëndetësor nuk është i mbingarkuar.

Sidoqoftë, bilanci i zymtë tejkalon edhe disa parashikime të bëra nga këshilltarët shkencorë të qeverisë. Në mars, njëri prej tyre deklaroi se mbajtja e vdekjeve nën kuotën 20 mijë do të ishte një rezultat pozitiv. Ndërsa në prill, agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi se skenari më i keq i parashikuar nga qeveria ishte pikërisht ai me 50 mijë vdekje.

Ndryshe nga bilanci ditor i publikuar nga qeveria, të dhënat e kësaj të marte përfshijnë si rastet e dyshuara me koronavirus, ashtu edhe ato të konfirmuara.

Epidemiologët deklarojnë se vdekshmëria e lartë është mënyra më e mirë për të vlerësuar vdekjet nga një shpërthim sëmundjesh sepse është e krahasueshme në nivel ndërkombëtar.