Politika Britanikët vlerësojnë me çmim të rëndësishëm Arben Malajn

Britanikët vlerësojnë me çmim të rëndësishëm Arben Malajn

Presidenti i Nderit të IPPM (Instituti për Politika Sociale dhe Mirëqenie), Arben Malaj është vlerësuar me certifikatë mirënjohje për kontributin e tij dhe të organizatës që ai ka drejtuar, për punën dhe angazhimet në dobi të mirëqenies sociale dhe humanizmit. Çmimi është dhënë nga organizata botërore WHD (World Humanitarian Drive), me seli në Britaninë e Madhe.

Më poshtë vjen edhe falënderimi i Malajt, pas marrjes së këtij vlerësimi:

“Ky vlerësim nuk më përket vetëm mua por të gjithë atyre që më kanë frymëzuar dhe mbështetur kudo dhe gjithmonë në jetë dhe sidomos kur disa janë lodhur për të më rrëzuar, penguar apo të më mbyllin dyert për ti shërbyer vendi tim me dashuri, profesionalizëm dhe integritet. Vendit tim i kam shërbyer sidomos përmes mendimeve ndryshe dhe analizave kritike të shoqëruara me alternativa zgjidhje. Angazhimi për paqe, angazhimi për rrëzimin e barrierave mendore dhe mureve fizike, për të eleminuar konfliktet dhe luftërat, do të jetë i përhershëm duke u përballuar me kapjen e shtetit që shkatërron paqen dhe ushqen varfëri në rritje. Motivet kryesore të angazhimeve publike edhe ndërkombëtare janë vetëm dy.

E para – të frymëzojë të rinjtë sidomos ata që jetojnë në zonat e konflikteve dhe vijnë nga shtresat e varfëra dhe klasa e mesme që të bëhen promotorë të ndryshimeve pozitive në shoqëri, shkencë dhe politikë.

E dyta – ta prezantojmë dhe ta bëjmë Shqipërinë më të njohur si një vend paqeje dhe harmonie midis etnive dhe feve. Konsolidimi i kësaj harmonie duhet të jetë trashëgimia më e pasur që çdo politikan dhe aktivist shoqëror duhet ti lërë vendit dhe familjes së tij.

Në panelet e këtij forumi botëror njoha shumë personalitete që ishin përkushtuar për paqe në misionet e tyre si President, kryeministra, deputetë dhe aktivistë publik.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve nga bankat e zhvillimit të këtyre vendeve dhe ajo e këshilltarit ekonomik të Kryeministrit të Indisë – ishin impresionuese në këndvështrimet e tyre se si financa dhe ekonomia duhet ti shërbejë eleminimit të konflkteve dhe luftrave, paqes së pakthyeshme dhe prosperitetit në rritje.

Ndjekja e këtij forumi nga rreth 15.000 të rinj dhe të interesuar nga shumë vende të botës ndoshta e përcjell më mirë mesazhin dhe prodhon më shumë pozitivitet në vetëdijen dhe përkushtimin e sa më shumë të rinjve kudo në botë”, ka thënë Malaj.