Extra Britney Spears humbet betejën ligjore ndaj babait të saj

Britney Spears humbet betejën ligjore ndaj babait të saj

Gjykata amerikane ka rrëzuar kërkesën e Britney Spears, për të larguar babanë e saj nga detyra e kujdestarisë.

Gjyqtarja Brenda Penny tha se kërkesa për të larguar Jamie Spears, babain e 39-vjeçares nga roli i tij si kujdestar i pasurisë miliona dollarëshe nuk u aprovua, por me kërkesë të këngëtares, Bessemer Trust (një kompani që merret me menaxhimin e pasurive), u konfirmua si bashkë-kujdestar i pasurisë.

Më 23 Qershor këngëtarja 39-vjeçare pushtoi titujt e mediave në të gjithë botën me kërkesën e saj për të rifituar kontrollin e financave dhe jetës së saj, pas 13 vitesh nën një konservator, i cili i dha babait të saj kontrollin e çështjeve financiare dhe jetës së përditshme të Spears.

Britney deklaroi se kujdestaria e të atit prej 13 vitesh ka qenë “abuzive”.

Në vitin 2009 Jamie Spears iu dha e drejta për të kontrolluar çështjet personale dhe profesionale të së bijës. Ky vendim u mor pasi ylli i popit vuajti nga disa probleme psikologjike.

Jamie Spears dhe ekipi i tij ligjor kërkuan që gjykata të “hetojë vërtetësinë e akuzave dhe pretendimeve të bëra nga Britney“, të cilat ai i ka mohuar me forcë, duke thënë se ai ka vetëm interesat më të mira të vajzës së tij.

Ai është i detyruar që një herë në vit të arsyetojë në gjykatë, çdo cent të harxhuar nga pasuria e vajzës së tij, prandaj është e pamundur të vjedhë nga ajo. Ai ka deklaruar se e do shumë të bijën, por vazhdon të jetë i brengosur për shëndetin e saj mendor.

Beteja ligjore u zhvillua nën sfondin e lëvizjes “Free Britney”, ku një grup fansash besojnë se ylli i popit po mbahet ‘e burgosur’ nga babai i saj dhe të tjerët.

Me herët ajo gjithashtu ka kërkuar përmes avokatëve se nuk dëshiron që babai i saj të përfshihet në menaxhimin e karrierës së saj.