Bota Brnabiç: Mund të ndërhyjmë ushtarakisht në Kosovë!

Brnabiç: Mund të ndërhyjmë ushtarakisht në Kosovë!

Shpërndaje

Dy dekada pas luftës së përgjakshme të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, kryeministrja e Serbisë sugjeroi të mërkurën që Beogradi të ndërhyjë ushtarakisht nëse Prishtina krijon ushtrinë e saj.

Deklarata e Ana Brnabiç vjen mes një situate mjaft te tensionuar mes dy vendve.
Parlamenti Kosovës pritet të votojë më 14 dhjetor nëse do të transformojë forcat e mbrojtjes në një ushtri të rregullt. Edhe pse ky proces mund të marrë vite, politikanët serbë kanë reaguar me tonë të ashpëra, duke deklaruar se Prishtina mund të përdorë ushtrinë për të dëbuar serbët e mbetur nga Kosova, një akuzë e mohuar nga udhëheqësit shqiptarë, të cilët kanë marrë mbështetjen e Bashkimit Europian dhe SHBA-së për transformimin e ushtrisë.

“Unë shpresoj se nuk do të na duhet ta përdorim ushtrinë, por kjo është aktualisht një nga opsionet në tryezë pasi nuk duam ta shikojmë këtë spastrim etnik”, u tha gazetarëve në Beograd kryeministrja Ana Brnabiç.

Ana Brnabiç

Paralajmërimi i saj erdhi pasi marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës u përkeqësuan ndjeshëm kur Prishtina vuri 100 për qind tarifa mbi importet nga Serbia dhe Bosnja më 21 nëntor, në hakmarrje të lobimit të Beogradit kundër pranimit të Kosovës në Interpol. Brnabiç tha se rritja e tarifave do të ndalonte tregtinë me Kosovën dhe se i do t’i kushtonte Serbisë 42 milionë euro në muaj.

Por analistët thonë nga ana tjetër se çdo ndërhyrje e ushtrisë serbe kundër Kosovës është shumë pak e mundur, duke pasur parasysh aspiratat e Beogradit për t’u bashkuar me BE. Sipas tyre, komentet e Brnabic janë një strategji për të mbajtur në anën e saj nacionalistët serbë.

“Pretendimet e Brnabic bien në kundërshtim me një deklaratë të fundit të presidentit Aleksandër Vuçiç i cili tha se dërgimi i ushtrisë (serbe) në Kosovë do të çonte në konflikte të drejtpërdrejta me NATO-n”, tha Milan Karagaca, ish-diplomate dhe anëtare e Qendrës për Hulumtime të Politikës së Jashtme në Beograd.

Hashim Thaci dhe  Jens Stoltenberg

Transformimi i forcave të sigurisë së Kosovës është komentuar së fundmi edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili e përshkroi idenë e krijimit të një ushtrie si një rrezik për integrimin e Prishtinës në organizatat ndërkombëtare.

“Një veprim i tillë … shkon kundër këshillës së shumë aleatëve të NATO-s dhe mund të ketë pasoja serioze për integrimin e ardhshëm euroatlantik të Kosovës”, tha Stoltenberg në Bruksel. Ai gjithashtu doli kundër tarifave të paraqitura nga Prishtina, duke shtuar se hapa të tillë po e bëjnë “edhe më të vështirë dialogun ndërmjet BE-së dhe Serbisë”.

Ai u kërkoi të dyja palëve të përmbahen nga hapat dhe deklaratat provokative dhe të gjejnë një kompromis nëse duan të lëvizin “drejt një të ardhmeje më të mirë”.

Forcat e Sigurisë së Kosovës

BE ka deklaruar nga ana tjetër se Beogradi dhe Prishtina duhet të normalizojnë marrëdhëniet dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet territoriale, si kusht i përparimit drejt anëtarësimit në union.

Më 18 tetor, dhjetë vjet pasi shpalli pavarësinë nga Serbia, Kosova filloi zyrtarisht procedurat për krijimin e ushtrisë së saj. Parlamenti kaloi tre projektligje duke hedhur themelet për transformimin e (FSK), një forcë emergjente e trajnuar për t’iu përgjigjur katastrofave, në një ushtri të rregullt prej 5,000 trupash (plus 3000 rezervistë).

Në një intervistë për Gazetën “Si”, zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, thotë se Kosova ka mbështetjen e plotë të aleatëve perëndimorë dhe shndërrimi i FSK-së po kryhet në bashkëpunim të plotë me NATO-n. Sipas zyrtarit të lartë, nuk do të jetë e largët dita që Kosova do të mund të bëhet pjesë e Aleancës Veriatlantike.
Pak pas votimit në parlament ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin deklaroi se ushtria e Kosovës po krijohet për të kërcënuar serbët dhe Serbinë. Por sipas Ramadanit, deklaratat e politikanëve të caktuar në Beograd, të cilët kanë një mendësi të vjetër, janë qëndrime politike që dëshmojnë gabimet e tyre logjike.

Burim Ramadani

Ai thotë se transformimi i FSK-së është bazuar plotësisht në standardet e NATO-s dhe vendeve më demokratike të botës.

“Kemi pasur takime informuese në kryeqytete të rëndësishme europiane dhe kemi mbajtur për herë të parë një takim të tillë edhe në selinë qendrore të NATO-s. Ne do të vazhdojmë takimet informuese edhe në kryeqytete të ndryshme perëndimore, ndërkohë që po thellojmë raportet bilaterale. Së fundmi, më 18 shtator kemi nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes së Italisë, duke arritur kështu numrin 14 të marrëveshjeve të bashkëpunimit me shtete të ndryshme”, shprehet ai.

Por Beogradi po përdor të gjitha mjetet për të parandaluar shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të mirëfilltë. Mediat në Prishtinë raportojnë se pjesë e strategjisë së serbëve është edhe organizimi i dorëheqjeve masive brenda radhëve të FSK-së. Gazeta “Zëri” shkruan se vetëm brenda dy ditëve në tetor kanë kërkuar largimin nga kjo forcë 40 shtetas të Kosovës me kombësi serbe.