Sport Broja, lamtumirë emocionuese nga Southampton, tani gati për Chelsean

Broja, lamtumirë emocionuese nga Southampton, tani gati për Chelsean

Armando Broja i ka thënë zyrtarisht lamtumirë Southamptonit. Pas një viti huazim në këtë klub të Premier League, ku shënoi 9 gola dhe dëshmoi talentin, sulmuesi shqiptar do të kthehet te Chelsea për momentin.

Të paktën për fazën përgatitore parasezonale, siç ka thënë trajneri Thomas Tuchel, i cili do ta shohë 20-vjeçarin në veprim dhe më pas do të vendosë; ta mbajë, ta huazojë apo ta shesë.

Vetë Broja, përmes rrjeteve sociale ka shkruar ditën e sotme:

“Unë thjesht dua të filloj duke thënë se çfarë sezoni i mrekullueshëm ishte për mua dhe familjen time personalisht. Një sezon plot me ulje dhe ngritje, por kisha pas vetes familje dhe njerëz të mrekullueshëm që më ndihmuan t’i kaloja pengesat.

Dua të them gjithashtu një faleminderit të madhe për Southampton dhe fansat e mrekullueshëm që më mbështetën dhe kishin besim tek unë që të tregoja atë që mund të bëj. Unë e vlerësoj të gjithë mbështetjen dhe dashurinë që treguat për mua dhe ekipin. Së fundi dua t’ju them shumë faleminderit bashkëlojtarëve, djemve që më mësuat kaq shumë këtë vit.

Më pëlqeu çdo minutë me ju djem, ishte sinqerisht diçka e veçantë për mua. Ju nuk jeni bërë vetëm vëllezër me mua, por edhe familje e imja. Do të më mungoni djema!”