Sport Broja në planet e Chelsea për të ardhmen

Broja në planet e Chelsea për të ardhmen

Trajneri Ralf Hasenhutl e do Armando Brojën te Sauthemptoni për një kohë të gjatë, por te Çelsi kanë plane të tjera. Sulmuesi kuqezi i huazuar nga Çelsi është dalluar në këtë sezon me paraqitjet e tij, ku ka shënuar 7 gola.

20-vjeçari realizoi golin e radhës për “Shenjtorët” në takimin e Premier Ligës ndaj Brentford 4-1, ku në tribunë ishin të pranishëm edhe pronarët e rinj, Dragan Solak dhe Henrik Kraft.

Me golat e tij, sulmuesi kuqezi ka fituar zemrat e tifozëve të Sauthemptonit, të cilët ëndërrojnë që ai të transferohet përfundimisht në ekip. Por sipas tabloidit anglez “The Sun”, “blutë” e Londrës do ta rikthejnë sulmuesin në verë.

Drejtuesit londinezë e shikojnë Brojën si pjesë e projektit të tyre të ardhshëm, duke i dhënë një goditje të fortë shpresës së Sauthemptonit për ta pasur shqiptarin në pronësi të tyre.

Në deklaratën e tij për mediat, tekniku austriak tha se edhe 21-vjeçarit i pëlqen që të qëndrojë te “Shenjtorët”. Sauthemptoni do të ketë kohë deri verë, që t’ia ndryshojë mendjen bluve të Londrës.