Bota Brukseli shqetësohet nga “urinimi” i tepërt i “Manneken-Pis”

Brukseli shqetësohet nga “urinimi” i tepërt i “Manneken-Pis”

Objekti më i famshëm i Brukselit, “Manneken-Pis”, simbol i sensit të humorit dhe moskokëçarjes së vendasve, rezulton me një të metë.

Vetëm së fundi, autoritetet e kryeqytetit belg, njëherazi edhe kryeqytet i Europës, kanë zbuluar se një defekt në sistemin hidraulik të statujës 400-vjeçare ka bërë që djaloshi i vogël të “urinojë” rreth 2.5 tonë ujë në ditë, një shpërdorim i jashtëzakonshëm uji që për vitin 2019 konsiderohet i pafalshëm.

Mungesa e një pjese rezervuari nën burimin e “nevojave personale” të statujës, bën që “urina” të shkojë tutje në kanalin e kullimit. Sigurisht që nuk është një harxhim i madh si të ishte një përrua, por sërish, ajo që shpërdorohet nga djaloshi i vogël është e barazvlefshme me konsumin ditor të 5 familjeve belge.

Askush nuk di ta thotë me bindje se, për sa kohë “heroi” i Brukselit ka çuar dëm këtë burim jetik. “Preferojmë të shohim nga e ardhmja”, thotë një inxhinier i autoriteteve lokale. E ardhmja, sigurisht që është drejt riciklimit.

Pikërisht për këtë arsye, “urina” e djaloshit do të kalojë nëpër një rezervuar, e do të rikthehet përmes pompës në “fshikëzën” e tij të bronztë.

“Kështu do të krijojmë një qark të mbyllur, duke mos pasur më shpërdorim të ujit”, thotë inxhinieri.

Brukseli mundi të identifikojë fluksin anormal falë një sistemi të ri monitoruesish elektronikë të vendosur përreth organizmit bashkiak. I dizenjuar për të kapur rrjedhjet aksidentale, apo vjedhjet e paautorizuara në sistemin e ujit të pijshëm, sistemi në fjalë zbuloi edhe “jashtënxjerrjen” e tepër të “Manneken-Pis”.

“Kemi dashur të zhvillojmë një politikë reale të kufizimit të shpërdorimit”, tha kryebashkiaku i ri i qytetit, Benoit Hellings, nga partia e të gjelbërve “Ecolo”.